Ekonomi

Xhemail Dauti: Nuk pritet rritje e lartë e çmimeve të produkteve

03.04.2026 13:05

Dauti thekson se shumica e produkteve ushqimore vijnë nga rajoni më i afërt...

Afaristi Xhemail Dauti thekson se shumica e produkteve ushqimore vijnë nga rajoni më i afërt, ku kostoja e transportit është më e ulët. Në një intervistë për emisionin Biznes Plus, Dauti shpjegoi se nuk është e njëjtë të importosh produkte si qumështi nga Bosnja drejt Maqedonisë së Veriut, krahasuar me importin nga Evropa Perëndimore apo vendet përtej oqeanit.
 
“Ne jemi importues nga shumë vende të botës dhe njëkohësisht distributorë të prodhuesve vendorë. Partnerët tanë kanë paralajmëruar lëvizje të çmimeve, por jo drastike, rreth 5–6%.”, tha Dauti.
 
Ai shtoi se kompania do të përpiqet të ruajë nivelin e rentabilitetit duke sakrifikuar një pjesë të fitimit për të shmangur rritjen e çmimeve për konsumatorët, aq kohë sa kjo të jetë e mundur.
 
“Prandaj, nuk besojmë se do të ketë rritje drastike të çmimeve të produkteve që ne i distribuojmë.”, përfundoi ai, duke dhënë sinjal stabiliteti për tregun dhe konsumatorët.
 
Në këtë mënyrë, sipas Dautit, biznesi synon të ruajë një balancë mes kostove të furnizimit dhe mbajtjes së çmimeve në nivele të arsyeshme për konsumatorin.
 
GAZMEND KURTISHI