Rajon
Osmani të shtunën do të lë presidencën, Haxhiu u.d. presidente e Kosovës
03.04.2026 14:26
Mandati presidencial i Vjosa Osmanit përfundon të shtunën, më 4 prill....

Mandati presidencial i Vjosa Osmanit përfundon të shtunën, më 4 prill. Nga 5 prilli postin e presidentes në cilësinë e ushtrueses së detyrës do ta ushtrojë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Por, Kuvendi ka afat deri më 28 prill që ta zgjedhë presidentin e ri të shtetit, në të kundërtën Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministri Albin Kurti tha se për çështjen e presidentit është në kontakt edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe me atë të PDK-së, Bedri Hamza, me të cilët paralajmëroi takime për javën e ardhshme.
“Do të ketë takime në javën e ardhshme.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
LVV dhe Alternativa: T’i shmangim zgjedhjet
Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se dëshirojnë t’i shmangin zgjedhjet, për çka ditët në vazhdim nuk do të mungojnë takimet dhe propozimet konkrete.
“Po bëhet maksimumi për të shmangur zgjedhjet. Njësoj do të vazhdohet deri në ditën e fundit, me takime e propozime për të shmangur zgjedhjet, sepse ne besojmë që zgjedhjet nuk sjellin rezultat tjetër dhe në këtë drejtim është një humbje në raport me të mirat që iu vijnë qytetarëve. Është një diçka që nuk e ndryshon thellë rezultatin dhe pse të shkohet në këtë rrugëtim të panevojshëm.”, - deklaroi Arben Vitia nga LVV.
Edhe kryetarja e partisë Alternativa që është partnere e Vetëvendosjes në Qeveri, Mimoza Kusari Lila, i sheh të panevojshme zgjedhjet, por, sipas saj, opozita po e ngushton hapësirën për konsensus.
“Kostoja oportune e shkuarjes në zgjedhje versus mosshkuarjes në zgjedhje është e lartë dhe në kurriz të qytetarëve të Republikës...Ajo çfarë pamë dje për prioritetin e qytetarëve nuk përkonte me atë çka thuhej dhe me sjelljet që i patën disa përfaqësues të partive opozitare. Prej largimit nga salla të subjektit më të madh opozitar tek qasja dhe komunikimi i një drejtuesi të një subjekti tjetër opozitar tek mosvotimi i katër marrëveshjeve tjera ndërkombëtare disi nuk po e lënë përshtypjen e hapësirës dhe diskursit për bashkëpunim.”, - theksoi kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila.
Partitë opozitare deri më tani janë shprehur kundër propozimit të Vetëvendosjes që Glauk Konjufca të zgjidhet president i Kosovës. PDK-ja insiston që asaj t’i takojë kandidatura për presidentin, derisa LDK-ja kërkon marrëveshje politike ose president konsensual.
GYLTENE SINANI
