Maqedoni
Ligji i Jurisprudencës në shqip, më 6 prill, studentët shqiptarë në protestë
03.04.2026 14:42
Unionet e studentëve shqiptarë kanë kërkuar nga përfaqësitë diplomatike në vend që të vëzhgojnë protestën e paralajmëruar për më 6 prill...

Unionet e studentëve shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë kërkuar nga përfaqësitë diplomatike në vend që të vëzhgojnë protestën e paralajmëruar për më 6 prill, për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Në letrën drejtuar ambasadave, studentët shprehin mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që, sipas tyre, përfaqësitë diplomatike kanë dhënë në zhvillimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe promovimin e shtetit të së drejtës në vend.
“Angazhimi juaj në mbështetje të arsimit, barazisë dhe prosperitetit të përgjithshëm ka qenë dhe mbetet i një rëndësie të veçantë për shoqërinë tonë.”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, studentët informojnë për organizimin e protestës më 6 prill në Shkup, e cila do të nisë në ora 12:30 nga Ura e Gurit. Protesta, sipas tyre, ka për qëllim realizimin e një të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe ligj – mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe. Studentët theksojnë se, megjithëse kjo e drejtë është e sanksionuar në kuadrin ligjor, ajo nuk zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi për studentët që ndjekin studimet në gjuhën shqipe.
“Kjo e drejtë vazhdon të mos zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi të vazhdueshme për studentët e drejtësisë. U bëjmë thirrje përfaqësuesve diplomatikë që, në kuadër të rolit të tyre në promovimin e standardeve demokratike, të monitorojnë këtë proces dhe zhvillimet që lidhen me këtë çështje.”, thuhet më tej.
Studentët sigurojnë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, në përputhje me vlerat demokratike, duke theksuar përkushtimin e tyre për një qasje të përgjegjshme dhe qytetare. Kjo thirrje vjen në prag të protestës së paralajmëruar, e cila pritet të mobilizojë studentët shqiptarë në kërkesën e tyre për barazi në sistemin arsimor dhe respektim të të drejtave gjuhësore.
FITORE NAGAVCI
