Maqedoni
Tetovë, takohet unioni i bashkive shqiptare në rajon, bashkëpunim në kulturë dhe turizëm
03.04.2026 14:55
Tetova sot ishte nikoqire e kryetarëve shqiptarë në rajon të cilët u mblodhën në takimin e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon....

Tetova sot ishte nikoqire e kryetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat – nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Presheva, por edhe përfaqësues të arbëreshëve nga Italia – të cilët u mblodhën në takimin e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi ndërmjet komunave shqiptare, projektet kulturore dhe zhvillimi i inovacionit për të rinjtë. Nikoqiri i takimit, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se në këtë takim po promovohet edhe Qendra e Inovacionit për të rinjtë në Tetovë.
“Sot do të promovojmë edhe një projekt tjetër në Tetovë së bashku me Unionin e Bashkive Shqiptare, që ka të bëjë me qendrën e inovacionit për të rinjtë. Në modelin e Tiranës edhe në Tetovë do të kemi një qendër të tillë ku të rinjtë tanë do të mund të aftësohen për tregun e punës dhe sfidat në fushën e inovacionit.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Nënkryetari i Unionit të Bashkive Shqiptare dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se bashkëpunimi mes komunave shqiptare është i rëndësishëm për promovimin e vlerave kulturore dhe zhvillimin e turizmit.
“Në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare janë realizuar projekte që lidhen me zhvillimin dhe promovimin e kulturës dhe traditës sonë, duke dhënë një kontribut edhe në zhvillimin e turizmit, që është një komponent shumë i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik.”, - theksoi kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Rruga Prizren - Tetovë, projekt ndërqeveritar
I pyetur për projektin e rrugës Prizren - Tetovë, Totaj tha se realizimi i saj kërkon bashkëpunim të ngushtë mes dy qeverive.
“Kjo rrugë nuk mund të ndërtohet pa bashkëpunim mes dy qeverive. Në Kosovë ka punime që po realizohen, por ka mungesë transparence dhe informacionesh të sakta për ecurinë e projektit. Megjithatë, ideja për një projekt të tillë duhet të përshëndetet dhe të besojmë se do të realizohet.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon është themeluar në vitin 2019 dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave shqiptare në fushat, si: kultura, inovacioni, urbanistika dhe zhvillimi ekonomik.
VISAR SADIKI
