Maqedoni
Akuza për ndikim në Prokurori, LSDM: Saveski nën diktatin e Mickoskit
03.04.2026 15:06
Nga LSDM akuzojnë se Saveski punon plotësisht nën diktatin e Mickoskit...

Prokurori i ri publik, Nenad Saveski, punon plotësisht nën diktatin e Hristijan Mickoskit dhe për 24 orë i ka përmbushur të gjitha detyrat që iu caktuan, akuzojnë LSDM. Sipas partisë opozitare, përderisa po eliminohen prokurorët e pavarur si Lençe Ristovska, po rikthehen prokurorët me agjenda partiake.
“Saveski ia mori rastet “Talir 1” dhe “Talir 2”, që kanë të bëjnë me pasurim të paligjshëm partiak, pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme dhe për Pallatin e Bardhë të paligjshëm të VMRO-së. Një operacion klasik, me porosi të Mickoskit, për shpëtimin e pasurisë kriminale të VMRO-së, partisë më të pasur në Evropë. Ja pse pushtetit i duhej një prokuror nën kontrollin e tij – për të mbrojtur kriminelët në majat e pushtetit.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO: LSDM e kapte drejtësinë, ne po e çlirojmë
Të vetmit në shtet që u jepnin urdhra organeve të drejtësisë se kush të ndiqet dhe kush të përjashtohet nga rastet gjyqësore janë LSDM, Zaev dhe rrethi i tij, kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE.
“Dëshmitë e Kadriut, prokurore në ish-Prokurorinë Speciale Publike të Katica Janevës dhe Lençe Ristoska, thoshin se pikërisht Zaev, Sheqerinska dhe njerëz të Oliver Spasovskit shkonin në zyrat e PSP-së dhe vendosnin se kush të gjykohet e kush jo. LSDM duhet ta kuptojë se VMRO-DPMNE kurrë nuk do të sillet si ata.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se po angazhohen që njerëz priofesionistë të vihen në krye të institucioneve gjyqësore dhe në këtë mënyrë të kthehet besimi i qytetarëve në gjyqësor.
ERSAN PAJAZITI
