Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, në vitin 2030 do të jetë në mënyrë elektronike
03.04.2026 15:15
Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë planifikohet të realizohet rreth vitit 2030...

Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë planifikohet të realizohet rreth vitit 2030, njoftoi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Dejan Stankov. Sipas tij, po punohet që ai të jetë në formë elektronike.
“Instituti Shtetëror i Statistikave, si një institucion serioz, ka filluar përgatitjet për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë dhe ka nisur aktivitetet për të vendosur një sistem statistikor të bazuar në regjistra. Qëllimi ynë është që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të realizohet në mënyrë elektronike, domethënë duke përdorur burime administrative. Ajo që si shtet duhet ta bëjmë në periudhën e ardhshme është të punojmë të gjithë së bashku, të gjitha institucionet, për përmirësimin e cilësisë së burimeve administrative, domethënë të arrijmë një nivel që është i përshtatshëm për standardet statistike dhe në këtë mënyrë të realizojmë një regjistrim të bazuar në regjistra.”, - deklaroi drejtori i Entit Shtetëror Statistikor, Dejan Stankov.
Edhe ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, tha se është detyrë politike që të bëhen të gjitha përgatitjet për regjistrimin digjital.
“Është e qartë, kjo u përmend edhe në programin e Qeverisë dhe në programin e partisë, se në vitin 2026 duhet të punohet në këtë drejtim, por ne e dimë rregullin e Eurostat-it që kjo ndodh çdo 10 vjet, që do të thotë se në këtë periudhë duhet të punojmë në të gjitha regjistrat, në ndërveprimin e të dhënave, për t’u përgatitur që ta realizojmë këtë. Kemi kohë nga sot deri në afatin kur duhet të realizohet ky regjistrim, për të testuar fazat, natyrisht nën udhëheqjen e Institutit Shtetëror të Statistikave dhe jemi të sigurt se në momentin kur të vijë regjistrimi, do t’u besojmë si rezultateve, ashtu edhe metodologjisë mbi të cilën ai do të realizohet.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u mbajt në shtator 2021. Ky ishte regjistrimi i tretë i popullsisë që nga pavarësia dhe i pari pas vitit 2002, pasi procesi kishte pësuar shumë vonesa dhe ndërprerje.
ARMEND MURSELI
