Botë

Intensifikohen sulmet në Lindjen e Mesme, 40 shtete përpiqen për rihapjen e Hormuzit

03.04.2026 15:59

Lufta në Lindjen e Mesme nuk ka të ndaluar...

Lufta në Lindjen e Mesme nuk ka të ndaluar, pavarësisht deklaratave të mëparshme të presidentit të ShBA-së, Donald Tramp, se do t’i japë fund konfliktit. Sulmet ajrore amerikane kanë shkatërruar urën më të madhe në Karaj, pranë Teheranit, ndërsa raportohet për dhjetëra viktima dhe të plagosur. Deklaratat e fundit të Trampit janë në kundërshtim me ato të një dite më parë. Në rrjetet sociale ai paralajmëroi se kjo është vetëm fillimi dhe se në mungesë të një marrëveshjeje, në shënjestër do të jenë edhe centralet elektrike. 
 
“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja ende nuk ka filluar të shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Radhën e kanë urat, pastaj centralet elektrike! Udhëheqja e re e regjimit e din çfarë duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë SHPEJT!”, ka shkruar Trampi në rrjetet sociale. 
 
Edhe Izraeli ka paralajmëruar intensifikim të operacioneve ushtarake, ndërsa sulmet ndaj Libanit dhe Iranit vijojnë me ritëm të lartë. Në këto sulme janë vrarë disa gjeneral-komandantë të lartë iranian.
 
“Ne eliminuam Mukram Azimin, komandantin e njësisë së raketave balistike në rajonin e Kermanshahut. Azimi ishte përgjegjës për shumë lansime raketash drejt Izraelit. Paralelisht me këtë eliminim, ne eliminuam edhe tre komandantë batalionësh nga komanda e raketave, të cilët udhëhoqën sulmet drejt Izraelit. Vazhdojmë të thellojmë dëmin ndaj industrisë ushtarake të regjimit. Objektivat tona janë të qarta, të eliminojmë kërcënimet dhe të mbrojmë komunitetet. Ky është vetëm fillimi.”, - theksoi Efi Defrin nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite.
 
Si kundërpërgjigje, Teherani ka goditur objektivat në Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Jordani, duke përfshirë edhe infrastrukturën e kompanive ndërkombëtare si Amazon dhe një qendër të dhënash të Orakles. Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se janë të gatshme ta vazhdojnë konfliktin deri në fund. Në këtë përshkallëzim, në mbështetje të Iranit janë rreshtuar edhe rebelët pro-iranianë Huthët.
 
“Forcat tona të armatosura realizuan një operacion të koordinuar ushtarak me luftëtarët në Iran dhe në koordinim me grupin Hezbollah në Liban, duke goditur objektivat themelore të armikut izraelit.”, - u shpreh gjenerali i Huthive, Jahja Sare.
 
Ngushtica e Hormuzit mbetet në fokus. Mbi 40 shtete, me ftesë të Britanisë së Madhe, diskutuan për rihapjen e saj, pas kritikave nga Trampi, se vetë BE-ja duhet të kujdeset për rihapjen e saj. Franca dhe Koreja e Jugut do të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë në këtë rrugë detare.
 
“Diskutuam krizën në Lindjen e Mesme, kushtet për deeskalim dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ky është vizioni që ne mbrojmë.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
“Ramë dakord të punojmë së bashku për të përballuar pasiguritë ekonomike globale dhe për të garantuar rrugë të sigurta detare.”, - theksoi  presidenti i Koresë së Jugut, Li Jae Myung.
 
Propozimi i Bahreinit për lundrim të lirë në ngushticë është paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
 
“Jemi në prag të një lufte më të gjerë. Përpjekjet diplomatike po vazhdojnë dhe meritojnë mbështetje. Civilët dhe infrastruktura duhet të respektohen, ndërsa liria e lundrimit duhet të mbrohet. Është koha të ndalet lufta.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Kreu i Ligës Arabe dënoi sulmet iraniane dhe veprimet që rrezikojnë ngushticën.
 
“Këto sulme iraniane janë të papranueshme. Irani duhet t’i ndalë menjëherë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe të mos pengojë lirinë e lundrimit.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit.
 
Përpjekjet për paqe me ndërmjetësimin e Pakistanit vazhdojnë. Në Uashington, Pit Higset ka urdhëruar ndryshime të mëdha në komandën ushtarake të ushtrisë amerikane, duke bërë edhe shkarkime të zyrtarëve të lartë, ndërsa lufta kundër Iranit vazhdon për më shumë se pesë javë. Nga Shtëpia e Bardhë njoftojnë se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për konfliktin, por nuk është dhënë një kohë e qartë për përfundimin e luftës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU