Ligji i arsimit të lartë, Janevska: Pr/ligji i arsimit të lartë, të hënën në Qeveri
Të hënën e javës së ardhshme do të dërgohet në Qeveri...

Të hënën e javës së ardhshme do të dërgohet në Qeveri propozim-ligji për arsimin e lartë, në të cilin, siç thotë ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, janë përfshirë edhe një pjesë e madhe e vërejtjeve dhe sugjerimeve të universiteteve, përfshirë edhe ato private.
Propozim-ligji synon të rrisë cilësinë në arsimin e lartë, thotë Janevska, sipas së cilës, për shkak të mosplotësimit të kushteve, deri më tani janë mbyllur 14 institute private, njëri prej të cilëve ka qenë i regjistruar në bastore.
“Në periudhën e kaluar kemi mbyllur 14 të ashtuquajtur institute private. Pse të ashtuquajtura? Rasti më brutal ishte kur komisioni nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shkuar për të kryer kontroll në një institut dhe ai ishte i regjistruar në bastore. Në pjesën e pasme të bastores, ku instituti duhej t’i kryente funksionet e tij, kishte dy karrige dhe dy dyshekë, si dhe kishte dy të punësuar. Ai u mbyll menjëherë, pasi ishte shkelur ligji.” – tha Ministreja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Teksti i propozim-ligjit është përpiluar në bazë të analizës serioze të shumë ligjeve në Evropë dhe jashtë Evropës, thotë Janevska, sipas së cilës janë përfshirë masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore.
Mickoski: Ligji aktual e shkatërroi arsimin e lartë
Me këtë ligj synohet rritja e cilësisë edhe në universitetet shtetërore, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.
“Edhe në universitetet shtetërore kishim profesorë të rregullt, të cilët bëheshin profesorë të rregullt me punime të publikuara në konferenca shkencore, në të cilat në këshillin redaktues dhe këshillin programor kishte profesorë nga katër vende. Kjo ishte një katastrofë, prandaj sot universiteti ynë më i vjetër, ‘Shën Kirili dhe Metodi’, i cili sipas të gjitha parametrave është edhe më kualitativ, në listën e Shangait ndodhet në vendin e 2500-të. Por nëse i merrni edhe matjet e tjera, mund të shihni se nga viti në vit fundosemi. Ky është rezultat i ligjit katastrofal të miratuar në vitin 2017-2018, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë e shkatërroi arsimin e lartë.” - deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Sipas Mickoskit, aktualisht, në koordinim edhe me universitetet, është arritur një zgjidhje e mirë sa i përket këtij propozim-ligji. Përveç ligjit për arsimin e lartë, në procedurë qeveritare pritet të futen edhe ligji për kualitet në arsim dhe ligji për shkencë. (Gyltene Sinani, TVM2)
