Mickoski: Do të ulen akcizat për katër denarë
Qeveria të dielën në një seancë të jashtëzakonshme...

Qeveria të dielën në një seancë të jashtëzakonshme do të miratojë sërish masa kundër rritjes së çmimeve të karburanteve. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se në mbledhjen e jashtëzakonshme qeveritare të nesërme do të korrigjohen akcizat për karburantet, ndërsa do të diskutohen edhe masa të tjera për krizën.
“Bursa e naftës u mbyll të enjten për shkak të festave të Pashkëve dhe llogaritjet tona tregojnë se nafta do të duhej të shtrenjtohej rreth 7 denarë, ndërsa benzina nga 1,5 deri në 2 denarë. Me ndryshimin e akcizave, supozoj se çmimi i naftës të hënën do të korrigjohet për rreth 3 denarë. Duke pasur parasysh se gradualisht po përfundon zbritja që jep OKTA, do t’i rinisim bisedimet me ta për të parë nëse do ta vazhdojnë zbritjen edhe më tej” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që inflacioni në vend të lëvizë ndërmjet 4 dhe 5 për qind, duke theksuar se masat e qeverisë kanë për qëllim të parandalojnë përsëritjen e goditjes së çmimeve nga viti 2022.
Mickoski gjithashtu tha se janë duke i shqyrtuar një pjesë të propozimeve të LSDM-së opozitare në lidhje me masat kundër inflacionit.
Filipçe: Çmimet po rriten, Mickoski nuk vepron
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se qeverisë dhe kryeministrit shumë vonë i është kujtuar për këtë gjë, pasi veçmë çmimet kanë shënuar rritje drastike.
“Që nga shkurti e deri tani, çmimet botërore të dy llojeve kryesore të naftës janë rritur përkatësisht për 50,7% dhe 63,7%, ndërsa çmimi i naftës dizel në vend është rritur për 34,5%, nga 71 në 95,5 denarë. Nga fillimi ishte e qartë se një rritje e tillë do të ndikojë në transport, në shpenzimet e kompanive dhe në çmimet e produkteve bazë ushqimore. Buka e bardhë është rritur nga 34 denarëi në 47,5, vaji nga 77,5 në 110 denarë, vezët nga 220 në 290 denarë, mielli nga 42 në 52,5 denarë. Rritje drastike kanë shënuar edhe qumështi, frutat dhe perimet.” – u shpreh Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe gjithashtu vlerësoi se rritja minimale e pagës prej 1.667 denarësh nuk është e mjaftueshme për të zbutur goditjen mbi shportën e konsumit, e cila arrin rreth 68.000 denarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
