Konflikti politik mbi integrimin evropian, Mickoski: LSDM u përfshi në zgjedhjet në Bullgari
Ndërsa integrimi i vendit në BE qëndron në vendnumëro...

Ndërsa integrimi i vendit në BE qëndron në vendnumëro, partitë akuzojnë njëra-tjetrën për pengesat. Kryeministri Hristijan Mickoski, hodhi poshtë akuzat e LSDM-së se ai e pengon integrimin evropian të vendit, duke i cilësuar si retorikë politike dhe përpjekje për të bërë përshtypje ndaj faktorëve të huaj.
Sipas tij, këto pohime janë pjesë e asaj që ai e quajti “politikat e buta” të opozitës, të cilat, në vend që të mbrojnë interesat kombëtare, synojnë qendrat politike të jashtme. Mickoski akuzoi se LSDM aktivisht merr pjesë në zgjedhjet në Bullgari dhe përmes qëndrimeve të saj përpiqet të pozicionohet para publikut bullgar.
“Po, nuk e di se si e kemi bllokuar rrugën evropiane, por këtë retorikë të LSDM-së e njohim. Kjo është pjesa e butë e identitetit maqedonas. Këto janë politika të dobëta. LSDM vepron si një organizatë komunale e ndonjë prej partive që garojnë në zgjedhje tek fqinjët tanë lindorë. Në vend që të përpiqen t’u pëlqejnë qytetarëve maqedonas, ata përpiqen më shumë t’u pëlqejnë politikanëve bullgarë. Kjo është rruga evropiane e LSDM-së.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Konflikti politik mbi integrimin evropian, Filipçe: Mickoski punon për interesa të huaja
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaratat e Mickoskit i cilësoi si frustrime personale dhe akuzoi kryeministrin se punon për interesa të huaja.
“Hristijan Mickoski bën tradhti kombëtare të interesave kombëtare të Maqedonisë, sepse punon për shtete të huaja, për Hungarinë, e cila publikisht është vlerësuar nga BE se është bashkëpuntore e Rusisë. Ndërsa, Rusia nuk ka asnjë interes për të integruar këtë pjesë të Ballkanit në Bashkimin Evropian” – u shpreh Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe shtoi se Mickoski nuk ka anuluar Marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë, ashtu si kishte deklaruar para zgjedhjeve parlamentare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
