Sulejmani, provimin e jurisprudencës do ta jepni shqip

05.04.2026 14:34

Studentët shqiptarë në vend kanë paralajmëruar për të hënën 6 prill...

Studentët shqiptarë në vend kanë paralajmëruar për të hënën 6 prill një protestë me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Ndërkohë Zëvendës ministri i Arsimit, Driton Sulejmani thotë se studentët kanë të drejtë në kërkesën e tyre dhe ju premton se provimin e jurispodencës do ta japin në gjuhën shqipe. 

“Të dashur studentë, jeni në të drejtën e plotë për kërkesën tuaj që provimin e jurisprudencës ta jepni në gjuhën shqipe. Gjithashtu, jeni në të drejtën e plotë që të protestoni për kauzën tuaj. Për dallim nga më herët, tani pa frikë dhe lirshëm mund ta shprehni vullnetin tuaj. Kujdes nga opozita pa busull dhe argatët e saj, të cilët po mundohen të dalin pak në dukje dhe të mbledhin ndonjë pikë politike, e që aspak nuk e kanë hallin për kauzën tuaj. Edhe një lutje: lërini thirrjet e kota të tipit “bëhuni bashkë opozitë e pozitë”, sepse nuk mund të bëhen bashkë ata që ju kanë lënë në këtë situatë dhe ata që po mundohen t’ju gjejnë zgjidhje për problemin tuaj. Pavarësisht protestës, ju gjithsesi do ta jepni provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, thekson Zv.Ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

VLEN: BDI instrumentalizon çështjen që vetë e la peng

Ndërkohë nga VLEN kanë vlerësuar se BDI po instrumentalizon edhe një çështje që vetë e ka lënë peng!

“Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng. E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë. Sidoqoftë, na vjen mirë që sot, me VLEN-in në qeveri, studentët dhe shoqëria në përgjithësi flasin më lirshëm dhe i artikulojnë hapur kërkesat e tyre. Kjo është dëshmi e një klime tjetër politike”, theksojnë nga VLEN.

Nga ky koalicion theksojnë se po punohet seriozisht për një zgjidhje sistemore, për çka është formuar një grup pune me ekspertë të fushës, i cili po shqyrton të gjitha aspektet juridike dhe institucionale, me qëllim që kjo çështje të marrë një zgjidhje të drejtë, të zbatueshme dhe afatgjate.

Mickoski u premton studentëve, do të gjendet zgjidhje adekuate

Për gjetjen e zgjidhjes u shpreh edhe kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit po kërkohet zgjidhje kushtetuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Qeveria e kaluar ka sjellur një ligj, e ai është ligji i gjuhëve i cili është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe pikërisht në pjesën që ka të bëjë me gjyqësorin. Për atë ligj kemi mendim negativ nga ana e Komisionit të Venecias, ku thuhet se duhet të shmanget dygjuhësia në gjyqësor, sepse ka sfida të cilat më së shpeshti janë të lidhura me sundimin e së drejtës. Ne si qeveri duke e pasur tër këtë parasyshë kemi formuar grup ekspertësh kushtetues të cilët punojnë për zgjidhje e cila do të jetë edhe kushtetuese por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Unë i bind studentët se ashtu siç u gjetën shumë zgjidhje për shumë sfida dhe lëshime nga e kaluara, do të gjendet zgjidhje adekuate. Mendoj se ata këtë e dinë dhe apeli im është të mos lejojnë të jenë mjet në duart e një partie politike e cila ende jeton në kujtimet e së kaluarës, përkatësisht në shekullin e kaluar.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.   

Osmani, mbështetje protestës së studentëve

Ndërkohë nga BDI kanë mbështetur protestën e studentëve. 

“Të dashur studentë, Dëgjova thirrjen tuaj, zërin tuaj, guximin tuaj për të dalë dhe për të kërkuar atë që është themelore respektimin e Kushtetutës dhe të drejtave që burojnë prej saj. Po ju përgjigjem jo vetëm si politikan. Po ju përgjigjem si prind, që sheh te ju të ardhmen e këtij vendi. Si mjek, që e di se çdo shoqëri funksionon vetëm kur trajton drejt secilin qytetar. Si dikush që gjithë jetën ka luftuar për barazi dhe dinjitet. Ju nuk jeni vetëm. Ajo që po bëni është më shumë se protestë. Është ndërgjegje. Është përgjegjësi. Është kurajo që shpesh mungon”, thekson nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, duke shtuar se kur studentët ngrihen për drejtësi, detyra jonë është të mos qëndrojmë anash.

Në përkrahje të protestës së studentëve janë shprehur edhe ASH e Ziadin Selës dhe ajo e Arben Taravarit. Ndërkohë dy nga organizatorët e protestës së studentëve të jurisprudencës, Mevlan Ademi dhe Joni Selimi kanë njoftuar se janë ftuar në stacionin policor në Bit Pazar për të dhënë informacione lidhur me organizimin e protestës. Protesta është thirrur nga Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore. (Ersan Pajaziti, TVM2)