Qeveria ul akcizat për karburantet, Mickoski: Pengojmë rritjen e çmimeve
Qeveria miratoi një paketë të re masash...

Qeveria miratoi një paketë të re masash për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve dhe për të zbutur presionin ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme u vendos që akciza për naftën të ulet me 4 denarë, ndërsa benzina të lirohet me 2 denarë për litër.
Paralelisht, TVSH-ja për karburantet mbetet e ulur nga 18 në 10%, masë që do të vlejë deri më 20 prill. Ndërkohë, është arritur marrëveshje me OKTA për vazhdimin e zbritjeve deri në fund të muajit.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se pa këto masa, çmimet do të ishin dukshëm më të larta, me naftën që do të arrinte rreth 102 denarë për litër.
“Kur e gjithë kjo analizohet, arrijmë në një çmim që për naftën do të jetë i njëjtë si deri më tani, nëse përllogaritet ulja prej 4 denarësh nga akciza dhe 3 denarë që vijnë nga OKTA, kështu që amortizohet një rritje potenciale prej 7 denarësh për litër. Ndërsa te benzina pa plumb me 95 dhe 98 oktan, përveç uljes prej 2 denarësh nga akciza për litër, do të kemi edhe 2 denarë ulje shtesë për litër, që do të thotë se çmimi do të jetë 2 denarë më i ulët krahasuar me periudhën e fundit të rregulluar, përkatësisht javën e kaluar.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski gjithashtu siguroi se gjendja me furnizimin me derivate është stabile dhe se nuk ka nevojë për kufizime.
“Në këtë moment nuk ka nevojë për çfarëdo kufizimi, pasi në bisedë me tregtarët dhe furnizuesin kam marrë garanci se nuk ka rrezik që konsumatorët vendas të jenë të rrezikuar, edhe pse konsumi është rritur nga 1,5 milion në 2 milion litra në ditë. Shpresoj që kështu edhe do të mbetet dhe që gjithçka që po ndodh në Gjirin Persik do të ndalet dhe gjendja në botë do të normalizohet” – deklaroi Mickoski.
Sipas tij, konsumi javën e kaluar arriti nivel rekord prej 2 milionë litrash në ditë, ndërsa presioni më i madh vërehet në pikat kufitare, ku në disa raste shitja është trefishuar për shkak të qytetarëve nga vendet fqinje. (Ersan Pajaziti, TVM2)
