Çerdhja e re është gati në Përshefc, pret lejen e institucioneve qendrore

05.04.2026 17:08

Objekti i çerdhes është gati...

Objekti i çerdhes është gati, por dyert vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Çerdhja e re në fshatin Përshefc të Komunës së Tearcës, edhe pse e përfunduar prej kohësh, ende nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së lejeve nga institucionet qendrore. Ndërkohë që prindërit presin hapjen e saj, objekti vazhdon të mbetet mollë sherri mes institucioneve.

Kreu i komunës, Daut Memishi, thotë se komuna ka dërguar kërkesë për funksionalizimin e çerdhes, si në Ministrinë e Financave, ashtu edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Memishi thotë se çerdhja është dashur të hapet para katër vitesh.

“Kjo punë është dashur të marrë jetë para katër vitesh dhe tani është çështje muajsh. Kjo është hera e tretë që bëjmë kërkesë deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila më pas e dërgon kërkesën deri tek Ministria e Financave. Kemi pasur disa vërejtje nga e kaluara dhe është dashur kohë që t’i përmirësojmë.” – deklaroi Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Memishi shprehet se pret që kjo të jetë kërkesa e fundit dhe që institucionet përkatëse të japin më në fund dritën jeshile për hapjen e objektit.

“Besoj fuqishëm që këtë radhë nuk do të kthehet negative. Pasi të gjitha ato vërejtje që kemi marrë nga ana tjetër, sa herë që Ministria e Financave e ka kthyer negativisht, ne kemi punuar dhe i kemi përmirësuar në vendngjarje. Besoj që në ditët në vazhdim do të kemi një përgjigje pozitive nga Ministria e Financave dhe menjëherë do të fillojmë me procedurat e rregullta: të shpallet konkursi dhe më pas të nisë të funksionalizohet.” – tha Memishi.

Çerdhja pritet të ofrojë kushte më të mira për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve në moshë të hershme dhe të lehtësojë përditshmërinë e shumë familjeve në këtë komunë. Megjithatë, deri në marrjen e miratimeve përfundimtare nga institucionet përgjegjëse, objekti i ri vazhdon të mbetet i mbyllur dhe jashtë funksionit. (Visar Sadiku, TVM2)