Filipçe: Masat e Qeverisë janë të vonuara

05.04.2026 17:56

Masat e Qeverisë kundër rritjes së çmimeve janë të vonuara...

Masat e Qeverisë kundër rritjes së çmimeve janë të vonuara, vlerëson kryetari i LSDM-së Venko Filipçe. Ai theksoi se këto masa nuk do të kenë absolutisht asnjë efekt,  për shkak se spirala e rritjes së çmimeve tashmë ka nisur.

“Kur ne paralajmëronim se duhet të merren në kohë, siç e kanë bërë shumë vende në rajon, pushteti ishte pa dëgjim, thjesht nuk na dëgjoi dhe për këtë arsye është kjo situatë. Kriza do të bëhet gjithnjë e më e rëndë, qytetarët do ta ndjejnë më shumë në kurriz. Fatkeqësisht, pushteti është totalisht i pakujdesshëm dhe i interesuar vetëm për veten dhe bizneset e veta” – tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Filipçe gjatë takimit me bujqit në Negotinë vlerësoi gjithashtu se gjendja në bujqësi është alarmante, ndërsa theksoi se qeveria nuk ka miratuar asnjë masë antikrizë për ndihmë ndaj bujqve.

“Në këtë periudhë, kur çmimet e naftës po rriten, bujqit përballen me sfida serioze. Së pari, lidhur me ekzistencën e tyre, si bujq dhe familjet që jetojnë nga bujqësia. Së dyti, për shkak të neglizhencës së pushtetit ndaj këtij sektori, duhet të dimë se mund të përballemi me mungesë serioze të prodhimit të disa kulturave bujqësore, veçanërisht të drithërave. Kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme mund të përballemi me rritje shtesë të çmimit të bukës deri në fund të vitit” – u shpreh, Venko Filipçe

Ai njoftoi se LSDM në periudhën e ardhshme do të propozojë zgjidhje ligjore për ndihmë ndaj bujqve. (Ersan Pajaziti, TVM2)