Vuçiç: U gjet eksploziv pranë infrastrukturës së gazit!

05.04.2026 20:11

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dekalruar se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë.

Vuçiç për këtë e ka njoftuar edhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, me të cilin ka realizuar një bisedë telefonike.

“Ia paraqita atij rezultatet e para të hetimit nga autoritetet tona ushtarake dhe policore në lidhje me kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”, - shkroi Vuçiç në Instagram. Vuçiç shtoi se përveç eksplozivit, u gjetën edhe fitila për aktivizimin e tij.

Ai nënvizoi se jo shumë larg vendbanimit Velebit në Vojvodinën veriore, disa qindra metra nga tubacioni i gazit Balkan Stream, u gjetën në dy çanta shpine dy pako të mëdha me eksplozivë me fitil.

“Ato mund të kishin rrezikuar një numër të madh njerëzish dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz të Serbisë dhe Hungarisë", tha presidenti serb.