Maqedoni
Qendra Klinike – Shkup, janë rinovuar 6 salla operacioni
06.04.2026 14:36
Gjashtë salla operacioni janë rinovuar në repartin kirurgjik në Klinikën për Traumatologji...

Gjashtë salla operacioni janë rinovuar në repartin kirurgjik në Klinikën për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion dhe Kujdes Intensiv, si dhe Qendrën e Urgjencës. Katër të tjera mbeten për rinovim të plotë në kuadër të Qendrës Klinike "Nënë Tereza", informoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai shtoi se gjithsej 282 milionë denarë janë planifikuar të shpenzohen për të gjitha dhjetë sallat e operacionit.
“Pra, këto gjashtë salla janë me kualitet botëror dhe më vjen mirë që një ditë përpara ditës botërore për shëndetësi promovojmë kualitet të këtij lloji dhe shteti ynë hyn në hartën e shteteve që japin shërbime dhe kanë infrastrukturë moderne, pra uroj që ky trend edhe me katër salla që do të bëhen së shpejti të jemi shtet i cili në aspekt infrastrukturor do të kemi salla operimi që plotësojnë të gjitha kushtet, jo vetëm për operim, por edhe për telemedicinë dhe mësim në distancë, ku studentët do të mund të ndjekin një proces operimi edhe nga amfiteatrot e fakulteteve.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Kështu krijohet një bllok operativ modern me standarde botërore, ku praktikantët që po trajnohen jashtë vendit do të jenë në gjendje të punojnë në kushte identike me ato në klinikat evropiane dhe botërore.”, - theksoi drejtori në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, Igor Merxhanovski.
“Hapja e këtyre gjashtë sallave të operacionit është vetëm fillimi. Hapja e katër të tjerave pritet në muajt në vijim, gjë që do ta përfundojë plotësisht procesin. Po ashtu në fillim të kësaj vere, një projekt i ngjashëm do të fillojë të zbatohet në spitalin "8 Shtatori", me salla moderne operacioni që do ta pozicionojnë vendin si lider në rajon në këtë fushë.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministri Aliu po ashtu informoi se ka vazhduar procesi i punësimit të 300 mjekëve të rinj që do të jenë pjesë e sistemit të kujdesit shëndetësor.
VLORA LATIFI TOPOJANI
