Maqedoni
Propozim-ligji për arsim të lartë, Sindikata e Pavarur Akademike prezanton vërejtjet
06.04.2026 14:54
Sot mbyllet shqyrtimi publik në sistemin qeveritar ENER për projektligjin...

Sot mbyllet shqyrtimi publik në sistemin qeveritar ENER për projektligjin për arsimin e lartë. Pas kësaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të fillojë harmonizimin e zgjidhjeve të propozuara ligjore dhe së bashku me institucionet dhe organet e tjera, thuhet se çdo ankesë serioze e parashtruar do të shqyrtohet me seriozitet. Më pas, zgjidhja përfundimtare ligjore do të dorëzohet në procedurë qeveritare.
Megjithatë, Sindikata e Pavarur Akademike nuk i beson kësaj. Ka bërë thirrje që të mos nxitohet me këtë ligj. Për të parandaluar pasoja të pariparueshme, sindikata i kërkon MASh-it që të vazhdojë diskutimet lidhur me paketën e ligjeve për arsimin e lartë. Ata ankohen se vërejtjet e tyre nuk janë marrë parasysh dhe, për këtë arsye, druajnë se ky projektligj do të pengojë zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në vendin tonë.
“Jemi të bindur se kushtet për zgjedhje në tituj duhet të përputhen me specifikat e fushave të ndryshme shkencore dhe artistike, duke siguruar njëkohësisht kushtet e nevojshme për arritjen e tyre. Në zgjidhjet e propozuara, këto kushte nuk janë të zbatueshme për fusha të ndryshme shkencore dhe janë të vështira për t’u arritur nga shkencëtarët e rinj, pa garanci për financim adekuat dhe kushte pune. Në vend të qëllimit të deklaruar rritjes së cilësisë, një qasje e tillë mund të ketë efekt të dëmshëm, siç është humbja e kuadrit të ri në universitete.”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Pavarur Akademike, duke shtuar më tej se në Ligjin për veprimtari kërkimore - shkencore nuk ekziston një përkushtim i vërtetë për financim të detyrueshëm, të vazhdueshëm, të parashikueshëm dhe strategjik të shkencës në vend.
Ata presin nga MASh-i, si propozues i këtij ligji, të sigurojë kushte të realizueshme për zgjedhje në tituj, të cilat në disa aspekte i tejkalojnë edhe standardet që ekzistojnë në rajon. Përveç kërkesës që MASh-i të rihapë debatin për ligjet, nga sindikata thonë se i kanë dorëzuar ministrisë edhe një sërë të vërejtjeve edhe për autonominë universitare, financiare dhe kadrovike.
Sindikata vlerëson se projektligji cenon rëndë autonominë universitare, pasi lejon ndryshime në universitetet publike pa pëlqimin e tyre dhe pa kritere të qarta. Po ashtu, ata kundërshtojnë propozimin e deritanishëm që vendimmarrja për zhvillimin dhe investimet t’i kalojë Këshillit të Universiteteve, ku përfshihet edhe pushteti ekzekutiv, duke hapur rrugë për ndikim dhe presion politik.
REXHEP QAMILI
