Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Gashi mbështet proces kredibil

06.04.2026 15:12

Grupet parlamentare ende nuk janë mobilizuar sa i takon ideve të fundit...

Grupet parlamentare ende nuk janë mobilizuar sa i takon ideve të fundit rreth regjistrimit elektronik të popullsisë, duke e përjashtuar diasporën në vitin 2031. Çështja u aktualizua së fundmi, por një vit më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo-rezident.
 
Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore, sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor. Kuvendi duhet të harmonizojë ligjin me vendimin e kushtetueses. Përkrahës të kësaj ideje, përpos Qeverisë, janë edhe partitë maqedonase opozitare. Debati pritet të zhvillohet me partitë shqiptare. Kryeparlamentari Afrim Gashi në një takim me gazetarë tha se mbështet çdo formë të realizimit kredibil të regjistrimit.
 
“Është çështje e institucioneve. Me rëndësi është që regjistrimi të jetë kredibil. Sa i takon formës, nëse kjo mënyrë është më e lehtë dhe më kredibile, nuk jemi kundër.”, u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Ndërkohë sa i takon përjashtimit të diasporës, Gashi tha se duhet të ndiqen kriteret ndërkombëtare duke u shprehur ithtar i depolitizimit të çështjes.
 
“Duhet të ndjekim kriteret ndërkombëtare. Sa më pak politizim është më mirë, në të kundërtën dëmtojmë veten. Unë jam për depolitizim të çështjeve.”, tha kryeparlamentari Gashi.
 
Kategorizimi i popullsisë, sipas Kushtetueses, ka qenë jo i drejtë midis banorëve rezidentë dhe atyre jorezidentë. Kushtetuesja ka pasur vërejtje edhe sa i takon mënyrës së realizimit të regjistrimit gjatë vitit 2021. Popullsia totale rezidente rezultoi 1.83 milion banorë. Si jorezidentë u regjistruan 260 mijë e 606 persona.
 
MERAL ISMAILI