Maqedoni
Arkivi Shtetëror shënon 75-vjetorin, digjitalizimi është sfida e radhës
06.04.2026 15:35
Arkivi Shtetëror i Maqedonisë me aktivitete të ndryshme po shënon vitin e 75 jubilar...

Arkivi Shtetëror i Maqedonisë me aktivitete të ndryshme po shënon vitin e 75 jubilar që nga themelimi. Institucioni është themeluar në vitin 1951 me dekret të Qeverisë së asaj kohe, ndërsa sot përpara tij qëndron një sfidë e madhe, siç është digjitalizimi i materialeve arkivore.
Drejtori, aktual i këtij institucioni Dimitar Bogeski, deklaroi se po bëhen analiza për kornizën financiare të procesit, i cili duhet të përfshijë jo vetëm arkivin qendror, por edhe nëntë departamentet rajonale. Këtë deklarim Bogeski e bëri gjatë promovimit të pullës postare, simbol i memories kolektive.
“Ne jemi pak më mbrapa me sistemin informativ dhe të digjitalizimit, prandaj vendet e BE-së në këtë drejtim janë shumë më përpara, por ne, prandaj po i ftojmë të njëjtit, që nga ata të thithim dijen dhe përvojat që kanë, por edhe mundësitë të cilat i ofrojnë, duke mos përjashtuar edhe fonde të caktuara, me të vetmin qëllim që ne të mund të ndërtojmë një sistem të avancuar. Tani jemi në fazën e analizave dhe të cilat do t’i prezantojmë para Qeverisë dhe do të dalim me hapa konkretë që vendi ynë duhet t’i ndërmarrë, me qëllim që ne si vend të jemi në hap me vendet e BE-së.”, - deklaroi drejtori i Arkivit Shtetëror, Dimitar Bogeski.
Zëvendësdrejtoresha e Arkivit Shtetëror, Trëndelina Deari, tha mes tjerash se me këtë pullë postare do të udhëtojë tradita dhe kultura e një populli.
“Sot është një nder i madh që të jem pjesë e arkivit. Për ne paraqet një nder për të promovuar pullën postare që sot e promovojmë për hir të 75-vjetorit të Arkivit të Maqedonisë. Me këtë pullë postare nuk do të udhëtojë vetëm e kaluara, por edhe e ardhmja e këtij shteti, do të udhëtojë historia, tradita dhe kultura e një populli.”, - theksoi zëvendësdrejtoresha e Arkivit Shtetëror, Trëndelina Deari.
Sipas Bogeskit, Arkivi Shtetëror ka një pilot projekt me Qeverinë Sllovene për zhvillimin e një sistemi informativ, ku materialet e digjitalizuara do të jenë të qasshme për komunitetin shkencor dhe qytetarët.
Sipas Drejtorit, Arkivi ka një program për sigurimin e dokumenteve që lidhen me Maqedoninë nga arkiva të huaja, në bashkëpunim me Institutin e Historisë Kombëtare dhe Fakultetin Filozofik. Aktualisht po punohet edhe për regjistrimin e rreth 3.500 mikrofilmave të sjellë nga vende të tjera, të cilët deri më tani nuk janë përpunuar.
FITIM KRYEZIU
