Protesta për provimin e jurisprudencës, studentët kërkojnë respektim të Kushtetutës

06.04.2026 18:41

Me thirrjet për drejtësi, barazi, respektim të Kushtetutës...

Me thirrjet për drejtësi, barazi, respektim të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, studentët shqiptarë realizuan protestën e paralajmëruar me kërkesë për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkojnë drejtësi për studentët dhe dorëheqje nga ministri i Drejtësisë, të cilin e akuzojnë për mohim të së drejtës së garantuar me ligj.

Ata këmbëngulin se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe si e tillë të aplikohet. Marshi filloi para Urës së Gurit dhe mbaroi para Ministrisë së Drejtësisë.

Pas protestës ata edhe një herë dorëzuan peticion me kërkesë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Kërkuan që protesta të mos politizohet.

“Ne jemi studentë të drejtësisë, ne jemi ata që nesër do ta mbrojmë ligjin, por sot jemi të detyruar të dalim këtu për të kërkuar diçka që ligji tashmë e njeh të drejtën për të përdorur gjuhën tonë amtare. A është kjo kërkesë e tepruar? Kjo është minimumi, baza dinjiteti, sepse një shtet që nuk zbaton të drejtat e veta që i ka shkruar nuk është i fortë, është i brishtë. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Le të jetë e qartë për të gjithë, ne nuk jemi kundër askujt. Ndoshta, kundër Fillkovit.”, - deklaroi kryetari i Unionit të Studentëve – UshT, Mevlan Ademi.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektoni Kushtetutën dhe Ligjin, as më shumë e as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, pikë. Çdo zvarritje është përpjekje për të na mohuar një të drejtë që na është mohuar prej shumë vitesh. Gjuha shqipe është zyrtare, nuk negociohet.”, - theksoi kryetari i Unionit të Studentëve "Nënë Tereza", Besar Sejdiu.

“Sot jemi këtu, jo si individë të ndarë, por si një zë i përbashkët studentor që kërkon të drejtën e tij legjitime dhe të arsyeshme. Kjo nuk është një protestë kundër askujt, por një thirrje për drejtësi, barazi dhe respekt ndaj procesit tonë akademik dhe profesional. Kjo nuk është kërkesë emocionale, por një çështje parimore.”, - u shpreh kryetari i Unionit të Studentëve UEJL, Besjan Rexhepi.

“Kërkojmë nga ministri që të reflektojë dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjin e RMV-së, pasi që këtu duhet bazuar në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këtu bëhet fjalë për vullnetin e ministrit, asgjë tjetër.”, - theksoi një student.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe u aktualizua pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillovin vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019.

Kërkesë në Qeveri për harmonizime ligjore me qëllim për zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe provime të tjera profesionale ka bërë edhe Avokati i Popullit. (Florije Kamberi, TVM2)