Mickoski: Po investojmë në arsim me rreth tridhjetë projekte

06.04.2026 19:03

Kryeministri Hristijan Mickoski...

Kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë për shtyp njoftoi se përmes Ministrisë së Arsimit po realizohen rreth 30 projekte infrastrukturore me vlerë mbi një miliard denarë.

Projektet përfshijnë ndërtimin e sallave sportive shkollore, rinovimin dhe ndërtimin e shkollave, si dhe investime në konvikte studentore, me qëllim përmirësimin e kushteve për mësim dhe punë në arsim.

“Pra, rinovimi dhe ndërtimi i të gjitha këtyre projekteve do të jenë vërtet diçka që deri më tani nuk është parë në Maqedoni. Gjithashtu, kur bëhet fjalë vetëm për arsimin, më lejoni t’ju informoj juve dhe opinionin publik maqedonas se në thelb përmes Ministrisë së Arsimit aktualisht po realizohen rreth tridhjetë projekte me vlerë mbi një miliard denarë. Pra, gjithçka që, pasi u konsoliduam, vazhduam ta realizojmë, do të përfundojë për kushte më të mira pune për stafin arsimor dhe kushte më të mira mësimi për nxënësit dhe studentët.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria po kërkon financim nga institucione ndërkombëtare për përfundimin e Spitalit Klinik në Shtip, si dhe për realizimin e projekteve shëndetësore në Kërçovë dhe Tetovë.

“Do të doja të them se edhe kur bëhet fjalë për shëndetësinë, kemi sinergji edhe me arsimin. Aktualisht është në proces kërkesa jonë si Qeveri drejtuar institucioneve financiare ndërkombëtare që do të përfshiheshin në procesin e financimit të projektit për përfundimin përfundimtar të Qendrës Klinike, përkatësisht Spitalit Klinik në Shtip, së bashku me Fakultetin e Mjekësisë dhe konviktin e studentëve atje. Gjithashtu përfundimi i projektit të Shtëpisë së Shëndetit me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë, pra spitalit atje. Dhe normalisht edhe rikonstruksioni i Spitalit Klinik në Tetovë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Kryeministri pret që ky proces të përfundojë gjatë këtij muaji dhe që më pas të mund të hyhet në fazën e radhës. (Armend Murseli, TVM2)