Studentët shqiptarë në protestë, VLEN: BDI nuk e zgjidhi për 20 vjet

06.04.2026 19:25

Protestat e studentëve kanë nxitur edhe reagime partiake...

Protestat e studentëve kanë nxitur edhe reagime partiake. Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me kërkesën e studentëve që të mund të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe pas përfundimit të studimeve në juridik, duke e konsideruar pakënaqësinë e tyre të kuptueshme dhe të drejtë, dhe duke siguruar se po punohet për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale për këtë çështje.

“Kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje. BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë. Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN-i e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin. Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje.”, thuhet në komunikatën e Koalicionit VLEN.

Ademi: Ligj ka, mungon vullneti

Ndërkohë, ka reaguar edhe Arbër Ademi nga BDI, i cili i dha mbështetje studentëve për të realizuar këtë të drejtë, e cila, sipas tyre, është e garantuar me Ligjin për Gjuhët. Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe  është i mundur përmes zbatimit të këtij ligji, tha ai, duke theksuar se mungon vullneti i Qeverisë për ta zbatuar atë.

“Ligji për gjuhët është i qartë, por këto që janë sot si vazal në Qeveri, nuk kanë fuqi për ta zbatuar ligjin për gjuhët. Pra, Ligj ka, mungon vullneti i qeveritarëve pa legjitim etnik të zbatojë ligjin në fjalë. Nëse dëshironi shihni vetë neni 1 paragrafi 3, nenin 2 dhe 6 paragrafi 1 dhe neni 23 paragrafi 4 dhe 5, të ligjit për gjuhët gjeni këto dispozita dhe analizoni vet nuk ka nevojë që të jeni juristë për të kuptuar se ligji për gjuhët është i qartë, por vetëm duhet zbatim konkret.”, - deklaroi Arbër Ademi nga  BDI.

Studentët kanë kërkuar nga partitë politike që të mos politizohet kjo çështje, por të zgjidhet në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. (Rexhep Qamili, TVM2)