Propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Dardhishta: Të precizohet përfaqësimi i drejtë

06.04.2026 20:40

Propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve në debat publik...

Propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve në debat publik në shtëpinë legjislative, me të cilin parashihen kushte të reja në zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit dhe rregulla tjera që janë pjesë e reformave gjyqësore.

Gjatë shqyrtimit të draftit, Mustafa Dardhishta nga fusha e gjyqësorit nënvizoi, sipas tij, lëshimin që është bërë në nenin 35 kur thuhet se në procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve, merret parasysh parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por nuk theksohet se cilës kategori të qytetarëve i referohet pika 16 e nenit 35.

Përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese dhe në harmoni me sistemin tonë juridik, më saktësisht me anatominë pas marrëveshjes së Ohri, shton Dardhishta.

“Propozimi im është që në pikën 16 të nenit 35 të këtij drafti të qëndrojë: Në procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit merret parasysh parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i qytetarëve që i takojnë bashkësive. Atëherë ky nen, sipas meje, do të ishte i plotë, kështu siç është, sipas meje, është i pakompletuar. Pra, i mungon kjo fjalë që shpreh thelbin e punës.”, - theksoi avokati, Mustafa Dardhishta.

Ekspertët: Ka mangësi në demokracinë gjyqësore

Sipas ekspertëve, propozim-ligji megjithatë nuk siguron garanci për pavarësi të plotë të Prokurorisë dhe ka mungesë të legjitimitetit demokratik, respektivisht sipas tyre, disa kritere rrezikojnë para së gjithash thelbin demokratik të gjyqësorit.

“Nëse shohim votimin në Këshill, në mënyrë eksplicite kemi paraparë që të mund të votohet vetëm “për ose “kundër”. Nuk ka përmbajtje në votim. Askush nuk është zgjedhur për anëtarë të Këshillit, që të mos ketë qëndrim ose guxim për ta argumentuar qëndrimin e tij.”, - u shpreh profesoresha universitare, Aleksandra Deanovska.

“Ekziston mospërfshirje inkluzive procedurale dhe mungesë dialogu gjatë përgatitjes së tij; e dyta, instalohet dominim hierarkik përmes anëtarësimit të prokurorit publik, që me Kushtetutë nuk është imperative, politizimi i anëtarëve joprofesionistë përmes zgjedhjes me shumicë të thjeshtë në Kuvend dhe institucionalizimi i fshehtësisë në procedurat e shkarkimit.”, - deklaroi profesoresha universitare, Ana Çupevska.

Propozim-ligji në fjalë është pjesë e Agjendës reformuese, ndërkaq është përgatitur duke marrë në konsideratë rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian dhe të GREKO-s.

Propozim-ligji ka marrë mendim pozitiv edhe nga Komisioni i Venecias me disa rekomandime, të cilat janë përfshirë në përmbajtjen e tij. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)