Lufta në Lindjen e Mesme, ShBA - Iran, vazhdojnë retorikat kërcënuese
Ashpërsohet retorika mes Uashingtonit dhe Teheranit...

Ashpërsohet retorika mes Uashingtonit dhe Teheranit, teksa paralajmërimet për një përshkallëzim të mundshëm po bëhen gjithnjë e më të drejtpërdrejta.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka sinjalizuar një afat të qartë, duke paralajmëruar sulme ndaj infrastrukturës strategjike iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet.
Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet se në mungesë të një marrëveshjeje të shpejtë, mund të ndërmerren masa ekstreme, përfshirë goditje të gjera dhe kontroll mbi burimet energjetike të Iranit.
Në të njëjtën kohë, është pranuar edhe përfshirja indirekte e ShBA-së në mbështetjen e protestave në Iran përmes kanaleve rajonale. Megjithatë, përtej toneve të ashpra, mbetet e pranishme edhe një dritare e hapur për diplomaci.
“E pyeta presidentin për mundësinë e një marrëveshjeje me iranianët. Ai thotë se atyre që negociojnë në emër të Iranit u është dhënë amnisti për momentin, në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet. Dhe presidenti më thotë se mendon se do të mund të arrijë një marrëveshje deri nesër. Ai thotë: ‘Mendoj se ka shanse të mira nesër. Ata tani po negociojnë’.”, - deklaroi gazetari i Fox News, Trej Jingst.
Irani paralajmëroi kundërpërgjigje nëse Trampi realizon kërcënimet, duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjithë, përveç armiqve. Sipas mediave iraniane, dhjetëra anije kanë vijuar kalimin në këtë korridor strategjik gjatë 24 orëve të fundit. Ndërsa qëndrimet e Trampit, Teharani nuk i merr seriozisht dhe i quan kontradiktore.
“Nëse sulmet ndaj objektivave civile përsëriten, fazat e ardhshme të ofensivës dhe operacioneve hakmarrëse do të jenë shumë më shkatërruese dhe të gjera, dhe humbjet dhe dëmet e shkaktuara armikut do të shtohen shumëfish nëse këta insistojnë në këtë qasje.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Iraniane, Ebrahim Zolfaghari.
Izraeli njoftoi, ndërsa Teherani konfirmoi se është vrarë shefi i inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit, gjeneral major Maxhid Khademin.
“Gardat Revolucionare po qëllojnë mbi civilët dhe ne po eliminojmë udhëheqësit terroristë. Udhëheqësit e Iranit jetojnë në një gjendje përndjekjeje. Ne do t’i ndjekim një nga një. Nëse vazhdojnë të qëllojnë mbi civilët në Izrael, ne do të godasim dhe shkatërrojmë infrastrukturën kombëtare iraniane.”, - u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Pasi forcat mbrojtëse izraelite njoftuan se kanë vendosur një brigadë të rezervës së blinduar edhe në Libanin jugor dhe po zgjerojnë operacionet kundër Hezbollahut, presidenti libanez bëri thirrje që përmes negociatave t’i jepet fund luftës, në të kundërtën edhe Libani mund të kthehet në Gazë e dytë.
“Është e vërtetë që Izraeli dëshiron të bëjë në Liban atë që bëri në Gazë. Detyra jonë është të mos lejojmë që të ndodhë ajo që ndodhi në Gazë. Kur thamë se duam të negociojmë, disa thanë: cili është kuptimi i diplomacisë? Do të doja t’i pyes: cili është kuptimi i luftës? Tani kemi 1.400 të vrarë, 4.000 të plagosur, mijëra shtëpi të shkatërruara, 1.200.000 të zhvendosur.”, - deklaroi presidenti i Libanit, Josef Aoun.
Kina sinjalizoi gatishmëri për të thelluar koordinimin me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke vënë theksin te nevoja për një armëpushim të menjëhershëm. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
