Maqedoni

Seancë për strategjinë kundër dhunës me bazë gjinore

07.04.2026 10:15

Në Kuvend, sot Komisioni për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave do të mbajë seancë...

Në Kuvend, sot Komisioni për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave do të mbajë seancë, në të cilën në rend dite është debati publik me temë: “Draft-Strategjia Kombëtare për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe dhuna në familje 2026–2033”.
 
Në debatin publik, përveç anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit, janë të ftuar kryetari, nënkryetarja dhe të gjithë deputetët, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, presidentja e Republikës, si dhe përfaqësues nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
 
Gjithashtu, të ftuar janë edhe përfaqësues nga institucionet përkatëse si Enti për Veprimtari Sociale – Shkupi, Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale e Qytetit të Shkupit, grupi ndërresor këshillimor për mundësi të barabarta, komisionet përkatëse në njësitë e vetëqeverisjes lokale, ZELS, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, Avokati i Popullit dhe Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.
 
Në debat do të marrin pjesë edhe Instituti për Studime Gjinore, organizata ndërkombëtare si UNDP, UN Women, OSBE, NDI, IRI dhe DCAF, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, ekspertë dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend dhe të Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup.