Maqedoni

KSHPK dhe IPA 2020, fushatë për lobimin dhe transparencën në RMV

07.04.2026 14:08

Katër tryeza të rrumbullakëta me grupe të ndryshme do të zhvillohen në periudhën e ardhshme në kuadër të fushatës “Lobimi në Maqedoninë e Veriut”...

Katër tryeza të rrumbullakëta me grupe të ndryshme do të zhvillohen në periudhën e ardhshme në kuadër të fushatës “Lobimi në Maqedoninë e Veriut”. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në bashkëpunim me projektin IPA 2020 edhe zyrtarisht nis fushatën “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”. 
 
Kryetari i KShPK-së Adem Çuçul tha se ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë për ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi lobimin si një element i rëndësishëm i proceseve demokratike, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.  Ai tha se lobimi nuk është një çështje e izoluar. Përkundrazi, ai lidhet ngushtë me transparencën në marrjen e vendimeve, parandalimin e konfliktit të interesave, sjelljen etike, llogaridhënien e institucioneve, si dhe me konceptin më të gjerë të integritetit politik dhe institucional.
 
“Ideja e gjithë kësaj fushate erdhi nga fakti se që nga viti 2021 është miratuar ligji për lobim, i cili zbatohet nga viti 2022. Në praktikë, u pa se ligji zbatohet në mënyrë të pamjaftueshme. Deri tani kishim vetëm tre organizata të regjistruara lobimi dhe nuk kishim fare informacione për ndonjë proces të mundshëm të lobimit. Për më tepër, me mbështetjen e projektit të Komisionit Evropian, synohet që lobimi të kuptohet si një proces pozitiv dhe si një mënyrë për pjesëmarrjen e komunitetit të biznesit.”, u shpreh kryetari i KShPK-së Adem Çuçul.
 
Çuçul gjithashtu theksoi se zbatimi i  kësaj fushate  përkon me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lobim, të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim saktësimin e tij dhe harmonizimin me rregulloret e BE-së. Diskutimet që do të lindin nga katër punëtoritë do të jenë një mundësi për ofrimin e propozimeve dhe ideve lidhur me ndryshimet e ligjit, të cilat do t’i adresohen grupit punues të formuar nga Ministria e Drejtësisë. KSHPK po ashtu do të përgatisë edhe veideo promovuese e cila do të transmetohet në mediat sociale, në faqen zyrtare të KSHPK-së dhe në Servisin Publik.
 
REXHEP QAMILI