Maqedoni
Jurisprudenca në shqip, Mickoski: Punojmë për zgjidhje kushtetuese
07.04.2026 14:58
Qeveria po punon në zgjidhjen kushtetuese të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe...

Qeveria po punon në zgjidhjen kushtetuese të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se përpos harmonizimit kushtetues zgjidhja duhet të jetë sipas standardave ndërkombëtare. Për këtë po punojnë ekspertë. Kryeministri akuzoi se protesta e djeshme, me pjesëmarrjen politike opozitare shqiptare kishte qëllime destabilizuese. Për këtë ishte informuar NATO.
“Studentët të cilët studiojnë fakultetin e drejtësisë në gjuhën e tyre amë, në rastin konkret gjuhën shqipe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit arsimor në Maqedoni. Ne kemi formuar komision. Ky komision është i përbërë nga ekspertë kushtetues dhe ai punon në gjetjen e zgjidhjes, e cila do të jetë edhe kushtetuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Gjithashtu është fakt se dje pamë një numër të madh të aktivistëve dhe funksionarëve të lartë opozitarë të cilët ishin në protestë duke i dhënë kahje politike.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Kasami: Fotografi e qartë nga grupet e punës
Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it, tha se zgjidhja do të dihet me formimin e grupeve të punës duke shtuar se kanë edhe mbështetjen e partnerit të koalicionit.
“Grupet e punës, të cilat do të merren me ofrimin e zgjidhjes konkrete se si kjo çështje të zgjidhet dhe pastaj nga takimi i parë i grupit të punës do të kemi edhe pasqyrën më të qartë se kur dhe si do të mund të zgjidhet kjo çështje.”, u shpreh Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it.
Trençevska: Ishte çështje e mbyllur, e hapi qeveria
Janë prononcuar edhe nga LSDM, duke thënë se qeveria do të duhet të gjej zgjidhje secili të gëzoj të drejtat bazike në përputhje me ligjin.
“Frymëzuesit kryesorë të të gjitha këtyre përçarjeve janë Mickovski dhe Qeveria. Sot dëgjuam në media se ai do të raportojë në NATO dhe BE për këtë. Le t'i themi Mickovskit ai të paraqitet në NATO dhe BE, sepse ai po destabilizon situatën në vend. Këto çështje ishin çështje të mbyllura, por meqenëse qeveria e Mickovskit dhe qeveria e VMRO-së janë në pushtet, sërish po ngrihen çështje për përçarje.”, u shpreh Jovana Trençevska, nënkryetare e LSDM-së.
Edhe opozita shqiptare tani së bashku me studentët ngriti zërin për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Bashkarisht, ditë më parë protestuan para ministrisë së drejtësisë.
MERALE ISMAILI
