Botë
Tramp ultimatum Iranit, kërcënon me sulme
07.04.2026 15:23
Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi se do ta shkatërrojë Iranin brenda një nate nëse nuk arrin ta rihapë Ngushticën e Hormuzit...

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi se do ta shkatërrojë Iranin brenda një nate nëse nuk arrin ta rihapë Ngushticën e Hormuzit. SHBA kanë një plan për të sulmuar të gjitha urat dhe termocentralet sonte nëse nuk arrihet marrëveshje, ndërsa afati për t’i dhënë fund luftës skadon në orën 20:00. Trump tha se Irani ka bërë një hap të rëndësishëm në negociata para skadimit të ultimatumit, por paralajmëroi se kjo nuk mjafton. Ndërkohë, ushtria izraelite u bëri thirrje qytetarëve iranianë të mos përdorin trenat deri në orën 21:00.
“Ne kemi një ndryshim regjimi, por nuk e kemi bërë këtë për ndryshim regjimi. Disa thonë se ai nuk ka plan. Unë kam planin më të mirë nga të gjithë. Por nuk do t’ju tregoj se cili është. Ata duan që unë të them: ja plani im, do të sulmojmë në orën 9:47 të mëngjesit dhe pastaj do të bëjmë këtë apo atë. Këta njerëz këtu e dinë cili është plani. Nuk më pengon të më ofendojnë. Prej shumë vitesh më ofendojnë lajmet e rreme.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Irani mobilizohet për mbrojtjen e infrastrukturës
Shtetet e Bashkuara kanë humbur kredibilitetin e tyre diplomatik, thonë autoritetet iraniane, dhe akuzojnë presidentin Donald Trump se thotë një gjë dhe bën një tjetër: kërcënon me sulme të reja ndërsa njëkohësisht propozon negociata. Irani paralajmëron se nuk do të pranojë armëpushim të përkohshëm dhe mbrojtja e vendit dhe interesave kombëtare mbetet e pakompromis.
“Irani nuk duhet të hezitojë në mbrojtjen e vendit për shkak të ndonjë ‘afati’ të pretenduar. Arsyeja pse nuk pranojmë armëpushim bazohet në përvojën e kaluar. Armëpushimi do të thotë një lehtësim i përkohshëm, që i jep mundësi palës tjetër të forcojë forcat dhe të kryejë më shumë krime më pas. Asnjë person i arsyeshëm nuk do ta bënte këtë. Kërkesa jonë është të përfundojë kjo luftë e imponuar dhe të sigurohet që cikli i armëpushimit dhe luftës të mos përsëritet.”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Esmaeil Baghaei.
Në pritje të sulmeve të paralajmëruara nga SHBA-ja, Irani bën thirrje për të formuar mburoja njerëzore rreth termocentraleve për të ruajtur infrastrukturën publike.
“Ftoj të gjithë të rinjtë tanë, sportistët, artistët, studentët universitarë dhe profesorët. Nesër, të martën në orën 14:00, rreth termocentraleve, pa marrë parasysh pikëpamjen tuaj politike. Mblidhuni për t’i thënë botës se sulmi ndaj infrastrukturës publike është krim lufte.”, u shpreh Alireza Rahimi nga këshilli i të rinjve dhe adoleshentëve.
Komuniteti ndërkombëtar alarmohet nga përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa sulmet ndaj spitaleve dhe infrastrukturës civile rrisin tensionet në rajon.
“Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm mes Hezbollahut dhe Izraelit, përfshirë sulmet izraelite në Bejrut. Paqeruajtësit e UNIFIL raportojnë se në zonën e tyre të operimit ka shkëmbime të vazhdueshme zjarri me raketa dhe artileri, sulme ajrore dhe përleshje në terren, së bashku me një prani të shtuar të forcave izraelite në territorin libanez.”, u shpreh Stephane Dujarric, zëdhënës i OKB-së.
Sipas gazetës britanike The Times of London, lideri I ri suprem Moxhdaba Khamenei, ndodhet në koma dhe nuk është në gjendje të kryej detyrat e tij. Autoritetet iraniane më herët kanë konfirmuar se ai është plagosur gjatë sulmit të 28 shkurtit, në të cilin u vra edhe babai i tij, Ajatollah Ali Khamenei. Megjithatë, ka raportime kontradiktore: disa zyrtarë thonë se ai është mirë dhe në detyrë, ndërsa burime të tjera pretendojnë se është i paaftë për të udhëhequr.
FARIJE DAUTI BAKIU
