Maqedoni
UNT kërkon përmirësime në ligjin për arsim
07.04.2026 15:41
UNT mbështet nismën për miratimin e ligjeve...

UNT mbështet nismën për miratimin e ligjeve, por ka disa vërejtje që duhet të përpunohen në mënyrë që teksti final të jetë i pranueshëm për të gjithë. Kështu theksoi kryetari i komisionit pranë këtij universiteti dhe dekani i Fakultetit Juridik, Aleksandar Petkovski.
“Ne kemi disa vërejtje të cilat mendojmë se duhet ende të përpunohen, në mënyrë që teksti final i ligjit të jetë i pranueshëm për të gjithë, përfshirë edhe universitetin tonë. Vërejtjet janë në dy drejtime. E para ka të bëjë me kriteret që profesorët duhet t’i plotësojnë për zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim në karrierë. Ndërsa pjesa tjetër lidhet me ndikimin e Ministrisë dhe ministres ndaj universiteteve.”, u shpreh dekani i Fakultetit Juridik, Aleksandar Petkovski.
Petkovski: Universitetet duhet të kenë më shumë autonomi
Ai shtoi se me ligjin e ri ministrja mund të anulojë aktet e universiteteve dhe madje të vendosë edhe për shuarjen e tyre. Sipas tij, kjo tregon se ministria ka shumë kompetenca, ndërsa universitetet duhet të jenë të barabarta sipas procedurave administrative.
“Ministria ka shumë instrumente ndikimi ndaj universiteteve, ndërsa universitetet kanë shumë pak ndaj ministrisë. Për shembull, nëse duam të punësojmë dikë, na nevojitet pëlqimi i Qeverisë, i Ministrisë dhe miratimi nga buxheti. Edhe pse kemi nevojë për profesorë, shpesh nuk marrim lejet për punësim. Sa i përket financave, buxheti aprovohet nga ministria. Me ligjin e ri, ministrja mund të anulojë një akt të universitetit, madje mund të vendosë edhe për shuarjen e universitetit. Pra, ka shumë kompetenca ndaj universiteteve dhe sipas rregullave të procedurës administrative, ne duhet të jemi të barabartë.”, u shpreh Petkovski.
Sa i përket hapave që do të ndërmarrin nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, Petkovski tha se ende nuk kanë diskutuar për masa konkrete. Megjithatë, ai theksoi se do të jenë të zëshëm dhe do të marrin pjesë edhe në Kuvend, ku para deputetëve do të paraqesin propozimet dhe amendamentet e tyre. Ata shpresojnë se do të arrihet një zgjidhje pozitive, pasi vërejtjet e tyre, sipas tij, janë logjike dhe të arsyeshme.
ARMEND MURSELI
