Arsenali sfidon Sportingun, klasiku evropian në Madrid

07.04.2026 18:12

Futbolli elitar evropian rikthehet sonte me përballje spektakolare në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve...

Në stadiumin “Santiago Bernabeu”, do të përballen Real Madridi dhe Bayern Munich ndeshje kjo që konsiderohen nga shumë si një duel i "finales para finales". Gjatë historisë, këto dy skuadra të mëdha janë përballur me njëri-tjetrin gjithsej 28 herë në garën më elitare, që është një rekord absolut në Evropë. Të dyja ekipet hyjnë në këtë ndeshje çerekfinale me dëshirën për dominim të ri dhe një hap më afër trofeut të madh. 
 
“Bayern Munich po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, si në lojë ashtu edhe në rezultate. Ata janë pa dyshim skuadra më e qëndrueshme në Evropë deri tani këtë sezon. Duke pasur parasysh historinë tonë me Bayern Munich, kjo ndeshje është gjithmonë e veçantë për ne dhe sigurisht që “Bernabéu”, është gati të përjetojë edhe një natë të shkëlqyer të Ligës së Kampionëve.”, u shpreh Alvaro Arbeloa, trajneri i Real Madridit.
 
Tifozët presin një festë të vërtetë futbolli në "Santiago Bernabéu" ku historia dhe cilësia do të përplasen përsëri. Përballja e tyre e fundit daton nga sezoni i kaluar kur Real Madrid fitoi 4-3 në total në gjysmëfinale. 
 
Paralelisht me ndeshjen në Madrid, Sporting do të përballet me Arsenalin në Lisbonë. Kjo ndeshje vë përballë dy ekipe që luajnë futboll ofensiv dhe me tranzicione të shpejta pas fitimit të topit. Arsenali vjen në Lisbonë me statusin e një prej kandidatëve kryesorë për fronin evropian. 
 
“Skuadra të mëdha që përballen mes vete në fazën me eliminim direkt të kompeticionit, të dyja që kanë pasur një ndikim shumë pozitiv në rrugëtimin e tyre — Sporting CP në një mënyrë, Arsenal FC në një tjetër. Besoj se do të ketë respekt të ndërsjellë. Çdo skuadër ka idetë e veta, armët e veta, pikat e forta dhe dobësitë. Nuk besoj se ka një favorit të qartë.”, u shpreh Rui Borges, trajner i Sporting CP 
 
Takimi i tyre i fundit ishte më 10 dhjetor 2024, kur Arsenali fitoi bindshëm 5-1 jashtë fushe. Të dyja ndeshjet e sonte do të fillojnë në orën 21:00. Të mërkurën, në të njëjtën kohë - PSG do të përballet me Liverpoolin, ndërsa Barcelona dhe Atletico Madrid do të luajnë në klasiken spanjolle. (Safet Ademi – TVM)