Maqedoni
Kuvendi vendos sot për emërimin e kryetarit të ri të RKE-së
08.04.2026 10:30
Kuvendi sot pritet të vendosë për emërimin e kryetarit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë...

Kuvendi sot, në seancën e 97-të, pritet të vendosë për emërimin e kryetarit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë (RKE), për të cilin kandidat i propozuar është Aco Ristov, në vend të ish-kryetarit Marko Bislimoski. Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe propozimi për emërimin e Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski si zëvendësguvernatorë të Bankës Popullore.
Sipas Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, Ristov është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës me përvojë shumëvjeçare në sektorët e energjetikës, hidroenergjetikës, furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave, minierave dhe sistemeve infrastrukturore, si dhe menaxher me përvojë në projekte komplekse energjetike dhe industriale.
Në rend dite të seancës janë edhe disa propozim-ligje, përfshirë Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, ndryshimet në Ligjin për sigurim shëndetësor (lexim i parë), plotësimet e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, ndryshimet në Ligjin për rrugët publike dhe në Ligjin për akcizat, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Deputetët do të diskutojnë edhe për raportin vjetor të punës së Agjencisë Operative-Teknike për vitin 2025, programin për shënimin e jubileve në vitin 2026, planin financiar të RKE-së për vitin 2026, si dhe propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese.
Gjithashtu, në rend dite janë edhe disa vendime dhe ligje të tjera, përfshirë Ligjin për Prokurorinë Publike (lexim i dytë), ndryshime në ligjet për mbrojtjen, arsimin dhe vetëqeverisjen lokale, si dhe ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor.
Në vazhdim të seancës së 90-të, deputetët pritet të diskutojnë edhe për ndryshimet në Ligjin për kontrollin kufitar, në lexim të parë.
