Maqedoni
Në gjimnazin Zef Lush Marku shpërthen zjarr, nuk ka të lënduar
08.04.2026 13:43
Menaxhmenti i shkollës tashmë ka identifikuar dy nxënësit që kanë shkaktuar zjarrin....

Bie zilja e pushimit të madh. Dy nxënës të vitit të parë dalin nga klasa dhe shkojnë në banjë, ku pas disa minutash qëndrimi ndezin mbajtësen e sapunit dhe pjesërisht përhapet zjarri. Kështu, përafërsisht, ka shpërthyer zjarri në banjën e gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup.
Drejtori i kësaj shkolle, Arben Mehmedi, për TVM2 thotë se shpërthimi i zjarrit fillimisht është raportuar nga disa nxënës të tjerë, ndërsa falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit të shkollës, zjarri është shuar. Menaxhmenti i shkollës tashmë ka identifikuar dy nxënësit që kanë shkaktuar zjarrin.
“Rreth orës 9:45, gjatë pushimit të madh, disa nxënës kanë lajmëruar se po dilte tym nga banjat. Pas kësaj, ne kemi njoftuar Komisionin për Evakuim dhe Shpëtim në kuadër të shkollës, i cili e ka lokalizuar problemin. Është konstatuar se është ndezur një material plastik nga ana e dy nxënësve. Dy nxënësit i kemi identifikuar, i dimë se kush janë dhe në cilat klasa janë dhe kemi zhvilluar bisedë me ta. Gjatë intervenimit që është bërë me bombolën e PP pajisjet atëherë është përhapur pak tym tek banja dhe që ka shkaktuar pak panik në mesin e nxënësve, mirëpo zjarr të madh nuk ka pasur vetëm përveç se te plastikës së vogël.”, u shpreh drejtori i gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup, Arben Mehmedi.
Zjarri kishte shpërthyer në banjën e katit të dytë të gjimnazit. I njëjti nuk ishte përhapur në klasat dhe ambientet përreth. Përveç dëmeve materiale, për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.
Për fat të mirë zjarri është lokalizuar gjatë pushimit të madh, teksa gjysma e nxënësve kanë qenë në oborrin e shkollës, ndërsa nuk ka pasur ndërprerje të procesit edukativo arsimor.
Nxënësit e shkollës pranojnë se janë frikësuar pak dhe e dënojnë ashpër këtë gjest, duke shpresuar që të mos përsëritet më.
“Nxënësit e klasës më thanë dilni jashtë se e kanë ndezur banjën dhe thanë dilni të gjithë jashtë dhe ne dolëm jashtë pasi që është bërë shumë tym brenda. Këto gjeste nuk janë aspak të mira, dhe jemi në shkollë dhe nuk duhen bërë këto gjëra.”, u shpreh një nxënës.
“Respekt i madh për mësimdhënësit e shkollës sonë dhe stafin që e menaxhuan mirë ne nuk na morën shumë kohë dhe pas 30 minuta kemi filluar me procesin normal mësimor. Mendojë se aspak nuk është i mirë ky gjest.”, tha një nxënës.
Këshilli arsimor pranë Gjimnazit “Zef Lush Marku” tani do të duhet të mblidhet dhe të vendosë për dy nxënësit që kanë shkaktuar zjarrin, ndërsa ndërkohë do të konstatohet edhe vlera e dëmit të shkaktuar.
REXHEP QAMILI
