Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, konstatohet dorëheqja e Lençe Ristoskës
08.04.2026 14:08
Këshilli i Prokurorëve Publikë, njëzëri, konstatoi dorëheqjen e prokurores publike Lençe Ristoska...

Këshilli i Prokurorëve Publikë, njëzëri, konstatoi dorëheqjen e prokurores publike Lençe Ristoska, të dhënë disa ditë më parë. Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, nuk deshi të komentojë arsyet që Ristoska kishte renditur për dorëheqjen e saj, ndër të cilat edhe vendimin e Këshillit të Prokurorëve, i cili kishte konstatuar se ndaj saj nuk ka pasur presion nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Çfarë mendon ajo është vendim i saj. Ne vetëm konstatojmë dorëheqjen. Nuk komentoj deklaratat e koleges.”, u shpreh kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
Në të njëjtën vijë ishte edhe kryeprokurori Nenad Saveski. Ai hezitoi të ndalet para kamerave për të komentuar dorëheqjen e prokurores Ristoska dhe se kujt i janë deleguar tani lëndët. Tha se nuk i lidh lëndët me prokurorë konkretë dhe se për të çdo lëndë është e njëjtë, pavarësisht se kush është i akuzuar. Prokurorja publike Lençe Ristoska dha dorëheqje vetëm një ditë pasi Prokurori i ri Publik i Shtetit, Nenad Saveski, mori vendim që ajo të përjashtohet nga lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”, të lidhura me VMRO-DPMNE-në.
Ristoska, si arsye për dorëheqjen, ka përmendur presionet dhe mungesën e perspektivës për veprim në përputhje me vizionin e saj për një prokurori që funksionon jashtë ndikimeve politike, që mbron profesionistët dhe interesin publik në mënyrë të qëndrueshme dhe pa seleksionim. Ajo ka theksuar se puna në raste të profilit të lartë krijon edhe armiq të profilit të lartë, të cilët përdorin fuqinë, ndikimin dhe lidhjet e tyre për të shmangur përgjegjësinë dhe për t’ju larguar nga qëllimi.
FLORIJE BELULI KAMBERI
