Maqedoni
Punonjësit e higjienës komunale-Gostivar marrin sigurim shëndetësor pas 13 vitesh
08.04.2026 14:17
109 punonjës të Higjienës Komunale në Gostivar kanë përfituar sigurim shëndetësor pas një periudhe prej 13 vitesh pa mbulim....

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor Sasho Klekovski, njoftuan se 109 punonjës të Higjienës Komunale në Gostivar kanë përfituar sigurim shëndetësor pas një periudhe prej 13 vitesh pa mbulim. Ata theksuan se ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm në garantimin e të drejtave themelore të punonjësve dhe përmirësimin e kushteve të tyre sociale.
“Pra bëhet fjalë për 109 familje që me vite punojnë dhe nuk kanë sigurim shëndetësor, ashtu si çdoherë që kemi qasje të definojmë problemin dhe të zgjidhim problemin filluam procedurat bashkë me drejtorin e Fondit në fondin për sigurim që të shohim kush është zgjidhja e këtij problemi, për fat të mirë në bord kaloi dhe zgjidhet problemi, ashtu siç theksoi edhe drejtori nga java tjetër të gjithë të punësuarit në këtë institucion ,do të kenë sigurim shëndetësor, që atyre u ka takuar me vite me dekada që për fat të keq nuk e kanë pasur. Ideja ishte që të zgjidhet procedura administrative edhe financiare.”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Ajo që arritëm të bëjmë në periudhën e kaluar është të arrijmë një marrëveshje për shlyerjen me këste të një pjese të borxhit që lidhet me fondin që daton që nga viti 2009, me informacion për qeverinë për shlyerjen e borxhit. Menjëherë pas përfundimit të marrëveshjes, do të aktivizohet sigurimi shëndetësor i 109 punonjësve këtu.”, u shpreh drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski.
Ministri Aliu po ashtu potencoi se punëtori nuk duhet të ndëshkohet sepse sistemi ishte pasiv, dhe askush që punon çdo ditë dhe i shërben qytetit të tij nuk duhet të mbetet pa sigurim shëndetësor për shkak të pa përgjegjësisë që ka ndodhur me vite.
VLORA LATIFI
