Maqedoni

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Garanton përfaqësim, por edhe cilësi

08.04.2026 14:28

Pushteti dhe opozita e shohin me dioptri të ndryshme propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Pushteti dhe opozita e shohin me dioptri të ndryshme propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Kryeministri Mickoski tha se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat garanton përfaqësim, por edhe cilësi në administratë. Ai mes tjerash theksoi se ligji i ka kaluar të gjitha filtrat e nevojshme, përfshirë edhe atë të Komisionit të Venecias.
 
“Ligji do të sigurojë përfaqësim të drejtë, por në të njëjtën kohë do të mbajë llogari edhe për cilësinë. Diçka që deri tani nuk ishte e futur në perimetrin apo në fokusin dhe unë mendoj se me këtë ligj do të tejkalohen të gjitha stereotipat nga e kaluara, të gjitha elementet anti-kushtetuese, gjithë ajo që përfaqësonte pengesë në të kaluarën, përfundimisht do të jepet zgjidhje.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
VLEN: Përfaqësimin e bëmë ligj 
 
Nga koalicioni VLEN e vlerësojnë si historike miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi theksojnë se kjo çështje është dashur të zgjidhet qysh në vitin 2003.
 
“Sot, më në fund, falë VLEN-it kemi ligj. Ky ligj vendos rregull aty ku për vite ka sunduar paqartësia, krijon mekanizma për zbatim dhe parasheh trup koordinativ në krye me një zëvendëskryeministër shqiptar, si garanci se e drejta për përfaqësim nuk do të anashkalohet më.”, theksohet më tej në komunikatë.
 
BDI: Është ligj për diskriminim 
 
Në anën tjetër, partitë opozitare shqiptare e kundërshtojnë ashpër këtë propozim, duke paralajmëruar pasoja të rënda për pozitën e shqiptarëve në administratë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Arbër Ademi, e cilëson draftin si një hap prapa.
 
“Nuk është ligj për përfaqësim, por është ligj për diskriminim. Nuk parasheh kuota etnike, që do të thotë se mund të rikthehemi në periudhën para vitit 2001, kur shqiptarët ishin vetëm 0.2 për qind në administratë.”, thekson Ademi.
 
ASh: Cenon parimin e përfaqësimit të drejtë 
 
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se bëhet fjalë për një ligj që “cenon drejtpërdrejt parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat” dhe që nuk përmbush standardet kushtetuese.
 
“Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar.”, thuhet në reagimin e ASH-së.
 
Pas dritës së gjelbër nga Qeveria, propozim-ligji kalon në Kuvend për votim.
 
ERSAN PAJAZITI