Protesta e studentëve shqiptarë, Ajdari: Mungoi përkrahja e Qeverisë

08.04.2026 15:07

Fronti Evropian risolli protestën e studentëve shqiptarë....

Fronti Evropian risolli protestën e studentëve shqiptarë për realizimin e provimit të jurisprudencës në seancën pyetje deputetësh. Deputetja Rina Ajdari kërkoi sqarim nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, përse mungoi në protestë dhe përse nuk zbatohet ligji për gjuhën shqipe.

“Problemi është te institucionet. Problemi është tek ju dhe këtë radhë institucionet udhëhiqen nga kjo qeveri pa legjitimet etnik, e ju si përfaqësues shqiptarë është dashur me kohë të merrni përgjegjësi nëse I’u cënohen të drejtat e shqiptarëve në vend.” – tha Rina Ajdari nga Fronti Evropian.

Sali: Çështja po zgjidhet institucionalisht

Zëvendës kryeministri Bekim Sali, tha se problemi do të zgjidhet institucionalisht pasi kërkesat e studentëve janë marrë në konsideratë. Ai kritikoi pjesëmarjen e përfaqësuesve të BDI-së në protesta.

“Studentët kanë qenë të pranuar në takim te unë ditën e parë kur kanë marrë inicijativën me nënshkrimet. Shqetësimi i tyre është ndëgjuar dhe në mënyrë institucionale jemi përgjigjur dhe kemi marrë masat e duhura për ta zgjidhur atë problem, dhe ai problem do të zgjidhet. Studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përderisa ju shprehni shqetësimin, njëkohësisht edhe protestoni, kjo i bie se protestoni kundër asaj që ju e keni vepruar 22 vite, kundër vetvetes.” – u shpreh Zv.Kryeministri i parë i vendit, Bekim Sali.

Nga BDI gjithashtu kritikuan trajtimin e administratorëve shqiptarë në institucione, duke kërkuar përgjigje me shkrim ndaj pretendimeve të tyre. (Meral Ismaili, TVM2)