Mirëpritet armëpushimi nga liderët botërorë, kërkojnë që edhe Libani të përfshihet në armëpushim
Pas armëpushimit dy javor mes SHBA-së dhe Iranit...

Pas armëpushimit dy javor mes SHBA-së dhe Iranit dhe hapjes së Ngushticës së Hormuzit, reagimet ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme dhe të shumta. Liderët botërorë e përshëndetën këtë zhvillim si një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe stabilizimit të rajonit.
Presidenti i Francës e quajti hap të rëndësishëm por theksoi se armpushimi duhet të përfshijë edhe Libanin.
“E kemi thënë vazhdimisht që nga fillimi i këtij konflikti, gati 40 ditë më parë. Vetëm përmes negociatave mund të sigurojmë garancitë e nevojshme për stabilitet në të gjithë rajonin. Prandaj, njoftimi për këtë armëpushim është një gjë shumë e mire, por duhet të sigurojmë që armëpushimi të përfshijë plotësisht Libanin.” – tha Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Edhe pse i përkohëshëm, Norvegjia e vlerësoi armëpushimin si një hap të rëndësishëm, duke vlerësuar ndërhyrjen diplomatike të Pakistanit.
“Ka ende një rrugë të gjatë deri tek paqja e qëndrueshme, por ky është një mëngjes shumë më i mirë sesa mund të ishte, duke pasur parasysh deklaratat që dëgjuam, veçanërisht nga Donald Trump. Fillimisht ai tha se do të bombardonte Iranin deri në epokën e gurit, dhe më pas shkoi aq larg sa të kërcënonte me atë që e quajti shkatërrim civilizimi. Këto janë deklarata vërtet monstruoze." – deklaroi Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Australia, Japonia dhe Kina gjithashtu nënvizuan rëndësinë e deeskalimit të konfliktit, sigurisë së Ngushticës së Hormuzit dhe zgjidhjes diplomatike të mosmarrëveshjeve.
“Këto janë lajme pozitive. Prej kohësh kemi bërë thirrje për deeskalim. Duam të shohim zgjidhje të konfliktit” – u shpreh Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.
“E mirëpresim njoftimin e SHBA-së dhe Iranit si një zhvillim pozitiv. Më e rëndësishmja është ulja e tensioneve, përfshirë sigurinë në Ngushticën e Hormuzit. Shpresoj që një marrëveshje përfundimtare të arrihet shpejt përmes mjeteve diplomatike”. – theksoi Sekretari i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara.
“Kina gjithmonë promovon armëpushimin dhe ndalimin e konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve politike dhe diplomatike, dhe në fund arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit.” – deklaroi Mao Ning, Zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës. Edhe vendet e Gjirit dhe rajonit kanë reaguar duke mirëpritur armëpushimin dhe kërkuan angazhim të plotë për një paqe të qëndrueshme dhe respektim të plotë të marrëveshjes në të gjitha frontet e konfliktit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
