Armëpushim dyjavor në Iran, hapet ngushtica e Hormuzit
Pas një nate të mbushur me frikë...

Pas një nate të mbushur me frikë, pritje të ethëshme dhe shqetësim në mbarë botën për përshkallëzimin e konfliktit, nga deklaratat e presidentit Trump se do ta kthejë civilizimin pers në kohën e gurit, situata mori një kthesë tjetër, një orë e gjysëm para përfundimit të ultimatumit, me ndërhyrjen e Pakistanit, i cili kërkoi nga kreu i Shtëpisë së Bardhë të shtyej afatin.
SHBA dhe Irani arritën një armëpushim dyjavor, ku hapja e Ngushticës së Hormuzit është pjesë kyçe e kësaj marrëveshjeje.
Tramp, pranoi të ndalë sulmet në këmbim të lirisë së lundrimit detar, duke vlerësuar se propozimi iranian me 10 pika është një bazë solide për negociata të mëtejshme.
“Bazuar në bisedimet në të cilat ata kërkuan të shtyja dërgimin e forcës shkatërruese drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, jam dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM I DYANSHËM!”. – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e shpalli të sigurt kalimin në Ngushticën e Hormuzit dhe me këtë la të nënkuptohet se e pranon propozimin e presidentit Tramp.
“Për një periudhë prej dy javësh, kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur në koordinim me Forcat e Armatosura të Iranit, duke marrë parasysh aspektet teknike përkatëse.” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Irani, pretendojnë se kanë arritur një fitore të madhe. Irani e konsideron triumf që SHBA-ja ka pranuar planin e tyre për të ndaluar agresionin, marrjen e kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve.
Gjatë armëpushimit, ushtria iraniane do të koordinojë trafikun detar.
“Irani arriti një fitore të madhe dhe e detyroi Amerikën kriminale të pranojë planin e tij me 10 pika. Armiku ka pësuar një humbje të pakundërshtueshme, historike dhe shkatërruese në luftën e tij të pabesë, të paligjshme dhe kriminale kundër popullit Iranian.” – deklaroi prezantuesi i televizionit shtetëror iranian ”Irib”.
Pakistani si vendi negociator, ftoi për bisedime në Islamabad palët e përfëshira në këtë konflikt dhe përgëzoi “urtësinë dhe mirëkuptimin” e SHBA-së dhe Iranit.
Takimi do të mbahet më 10 prill, për të arritur një marrëveshje përfundimtare që të vendosë fundin e konfliktit.
“Armëpushimi i përkohshëm mes Iranit, SHBA-së dhe ‘aleatëve të tyre’ hyn në fuqi menjëherë. Ai vlen kudo, përfshirë edhe Libanin. Të dyja palët treguan urtësi dhe mirëkuptim të jashtëzakonshëm dhe mbetën të përkushtuara në mënyrë konstruktive për promovimin e paqes dhe stabilitetit”. – theksoi Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif.
Izraeli e mbështeti marrëveshjen, por theksoi se ajo nuk vlen për operacionet e tij kundër grupit pro-iranian Hezbollah në Liban dhe ka vazhduar me ofanzivën ushtarake në pjesën jugore të vendit.
Raportohet për civil të vrarë dhe dëme të konsiderueshme matriale në Bejrut, përfshirë një sulm ajror në Sidon që vrau disa civilë dhe plagosi të tjerë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
