Maqedoni

Për një javë 899 thirrje në linjën "Alo doktor!"

08.06.2015 10:17

Janë regjistruar 899 thirrje për një javë, prej më 1 deri më 7 qershor, në linjën telefonike për këshillë mjekësore "Alo doktor!"...

Njëzetë e dy mjekë kanë qasje për këshillë mjekësore, ndërsa telefonatat vijnë nga qytetarët e të gjitha qyteteve të Maqedonisë.
 
Linja 02/15 123 është në dispozicion çdo ditë, 24 orë me qëllim që të mundësohet konsultim mjekësor i drejtpërdrejtë në momentin e paraqitjes së simptomave për çrregullimin e shëndetit, njofton ISHP Shtëpia e Shëndetit Shkup.
 
Të gjithë atyre personave të cilët u paraqitën në linjën telefonike, siç theksohet, u është ofruar ndihmë mjekësore përkatëse përmes këshillave mjekësore dhe terapisë përkatëse simptomatike.
 
Prej më 15 shkurt 2014, që kur ka filluar të punojë linja telefonike, deri më tani janë regjistruar gjithsej 38.003 thirrje./mia