Tiranë, miratohen ambasadorët, opozita kërkon raport për integrimin në BE
Në Komisionin e Jashtëm deputetët e opozitës...

Në Komisionin e Jashtëm deputetët e opozitës kërkuan shpjegime se pse ende qeveria nuk e ka sjellë në Kuvend raportin për ecurinë e procesit të integrimit, që do të duhej dorëzuar që në fund të janarit.
“Për të mos i lënë vendin spekulimeve, Ministri dhe kryenegociatorja të vijnë e të raportojnë sa më parë për IBAR-in që na e bën fushë me lule që gjithçka po ecën siç ishte parashikuar. Të vijë raporti menjëherë.” – tha Deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
Shqetësimit të demokratëve iu bashkuan edhe socialistët, por pa e pranuar se procesi i integrimit është bllokuar sikurse pretendon opozita.
“Për raportin kam kërkuar të vijë sa më shpejt. Do i çoj letër Hoxhës dhe kryenegociatores të vijnë në komision.” – deklaroi Deputeti i PS-së, Igli Hasani.
Komisioni i Jashtëm në Kuvend dëgjoi kandidaturat për ambasadorë të Shqipërisë në BE dhe në Belgjikë, ku Albana Dautllari dhe Gazmend Barbullushi morën edhe dritën jeshile të opozitës. (Luljeta Ndoka, TVM2)
