Rajon
Republika e Kosovës, shënohet 27-vjetori i Betejës së Koshares
09.04.2026 14:28
Në Republikën e Kosovës u shënua sot 27-vjetori i Betejës së Koshares...

Në Republikën e Kosovës u shënua sot 27-vjetori i Betejës së Koshares, një prej betejave më të rëndësishme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, me këtë rast theksoi se në këtë betejë u thye kufiri Shqipëri-Kosovë, i vendosur padrejtësisht rreth një shekull më parë.
“Sy patrembur dhe plot guxim, ushtarët tanë avancuan hap pas hapi, derisa e thyen kufirin Shqipëri–Kosovë të vendosur padrejtësisht pothuajse një shekull më parë, kufirin që i kishte ndarë shqiptarët që nga viti 1913. Në ditën e parë të kësaj beteje ranë dëshmorë Abush Loku, Bashkim Jasiçi, Ramiz Krasniqi dhe Rifat Çelaj. Luftimet vazhduan pa ndërprerë dhe të nesërmen ushtarët e UÇK-së arritën ta marrin nën kontroll pikën kufitare në Koshare. Më 11 prill, pas dy ditësh luftimesh të ashpra në fushëbetejë, ra strategu, piktori, poeti e artisti shumëdimensional Agim Ramadani, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138.”, u shpreh Albulena Haxhiu, U.D. presidente e Kosovës.
“Në Koshare nuk u zhvillua vetëm një betejë. Në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai gur i ndarjes që për dekada na ishte imponuar me dhunë. Me një luftë të pabarabartë, me një ushtri të armatosur deri në dhëmbë, u godit një regjim që mendonte se Kosovën mund ta mbante të pushtuar, të nënshtruar dhe pa rrugëdalje dhe u dëshmua se liria e këtij vendi nuk do të mbetej peng i asnjë kufiri të padrejtë dhe i asnjë pushtuesi, sado i fortë ushtarakisht.”, u shpreh Donika Gërvalla, zv/kryeministre e Kosovës.
Komandanti i Brigadës 138, Rustem Berisha, tha se në Betejën e Koshares u realizua një operacion historik për heqjen e kufirit. Ai tha se edhe pse armiku ishte me numër më të madh ushtarësh, luftëtarët e UÇK-së dolën fitues në betejën e Koshares falë sakrificës dhe guximit të tyre.
“Raporti i forcave në terren ishte një me pesë. Numri i forcave tona deri në përfundimin e luftës ishte tre mijë luftëtarë, ndërsa përballë tyre ishin forcat serbe me numër mbi 15 mijë. Një fakt që ata edhe vetë e pranojnë në filmin dokumentar të tyre, të cilin e quajnë “Ferri i Koshares”. Ky raport tregon qartë sakrificën dhe guximin e luftëtarëve tanë, të cilët me vendosmëri mbajtën çdo pozitë dhe garantuan lirinë e popullit tonë.”, u shpreh Rustem Berisha, komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Beteja e Koshares nisi më 9 prill të vitit 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, me ç’rast Brigada 138 e UÇK-së, në krye me komandantin Agim Ramadani, luftoi kundër forcave serbe për të thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përveç marrjes së kontrollit të kufirit, Beteja e Koshares kishte rëndësi strategjike të veçantë në krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të mbështetjes dhe logjistikës për UÇK-në, deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
GYLTENE SINANI
