Maqedoni

Korridori 8, Mickoski: Projekti zhvillohet pa ndërprerje

09.04.2026 14:44

Korridori 8 po zhvillohet pa ndërprerje edhe përkundër problemeve financiare, siguron kryeministri Hristijan Mickoski...

Korridori 8 po zhvillohet pa ndërprerje edhe përkundër problemeve financiare, siguron kryeministri Hristijan Mickoski. Traseja Kërçovë – Ohër është ndeshur me problemin e financimit, i cili është tejkaluar. Kryeministri siguron se kjo trase së shpejti do të jetë funksionale. Ndërkaq ka avancim të punimeve në pjesën Tetovë – Gostivar si dhe Gostivar Bukojçan.
 
“Kemi pasur një vështirësi të vogël, më duhet ta pranoj, posaçërisht në pjesën e sigurimit të mjeteve financiare për përfundimin e pjesës Kërçovë – Ohër. E dini se huanë që e merrnim nga banka kineze, nuk e marrim më, u ndërpre. Shumë shpejt u riorganizuam dhe ky problem është tejkaluar. Është formuar një sindikatë nga banka vendore me kushte tejet të mira. Ato banka vendase do ta përfundojnë financimin dhe kjo do të jetë e fundit dhe përfundimisht kjo trase do të jetë funksionale.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Furnizimet me naftë, Mickoski: Rezervat janë të mjaftueshme
 
Kryeministri ka komentuar edhe furnizimet me karburante si dhe çmimet në tregun vendor. Ai thotë se vendi ka sasi të mjaftueshme të derivateve të naftës.
 
“Deri më tani nuk kemi paralajmërime për çfarëdo pengesash në furnizim. Nuk planifikojmë të vendosim kufizime. Në këtë formë i ndihmojmë edhe fqinjët tanë. Disa aeroporte marrin kerozin nga ne. Edhe në këtë pjesë nuk planifikojmë të vendosim kufizime. Edhe përkundër krizës së madhe historike, ne si qeveri po përballemi në mënyrë stabile.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Së fundmi edhe në bursat botërore është shënuar rënie të një çmimit të naftës për një barel rreth 20 dollarë. Çmimi sot rrotullohet rreth 95 dollarë për barel. Në vend akcizat e naftës janë ulur 4 denarë për litër dhe 2 denarë për litër për derivatet tjera të naftës. Nafta shitet 98 denarë për litër, ndërkaq benzina 83.5 gjegjësisht 85.5 denarë për litër. 
 
MERALE ISMAILI