Botë

Lindja e Mesme, ofanzivë e ashpër izraelite mbi Liban, natë e përgjakshme, rreth 260 të vrarë

09.04.2026 15:08

Izraeli nisi një valë të madhe sulmesh ndaj Libanit disa orë pas arritjes së marrëveshjes së përkohshme...

Izraeli nisi një valë të madhe sulmesh ndaj Libanit disa orë pas arritjes së marrëveshjes së përkohshme, duke vënë në pikëpyetje armëpushimin e brishtë mes SHBA-së dhe Iranit. Mbi 160 raketa janë lëshuar mbi Bjerut dhe qytete të tjera në pjesën jugore dhe lindore të Libanit. Raportohet për të paktën 254 civil të vrarë dhe 1,165 të plagosur. Tel Avivi pretendon se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes për armëpushim, ndërsa Hezbollahu libanez pohojnë të kundërtën.   

“Prej vitesh, Hezbollahu fshihet pas banorëve të Libanit dhe i përdor ata si mburoja njerëzore. Ne do të vazhdojmë t’i sulmojmë dhe ndjekim kudo, dhe nëse është e nevojshme do të rikthehemi edhe në Iran.”, u shpreh Effie Defrin, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
 
“Libani është pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ky qëndrim është deklaruar, nuk ka vend për interpretime apo spekulime.”, u shpreh Ibrahim Al-Moussaëi, deputet i Hezbollahut.
 
Bota është dëshmitare e masakrave në Liban, tha ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Ai shtoi se SHBA-ja duhet të jetë e qartë dhe të zgjedhë njërin nga këto dy opsione: ose të respektojë armëpushimin ose të vazhdojë luftën përmes Izraelit.
 
“SHBA-të duhet të zgjedhin mes armëpushimit ose luftës së vazhdueshme ‘përmes Izraelit’, kushtet e përcaktuara në marrëveshjen për armëpushimin dyjavor mes SHBA së dhe Iranit janë ‘të qarta dhe eksplicite’. Bota i sheh masakrat në Liban. Topi është në fushën e SHBA së dhe bota është duke shikuar nëse SHBA do të veprojë sipas përkushtimeve të saj.”, u shpreh Abbas Araghchi, ministri i jashtëm iranian.
 
SHBA thekson se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes dhe se negociatat vazhdojnë, por paralajmëron për pasoja serioze nëse Irani i shkel kushtet. 
 
“Presidenti nuk do t’i përmbahet marrëveshjes nëse iranianët nuk i përmbahen të tyreve. Ne jemi në një pozicion të mirë. Ata po e hapin ngushticën. Kemi armëpushim. Dhe sinqerisht, nëse e shkelin pjesën e tyre të marrëveshjes, do të përballen me pasoja serioze.”, u shpreh J.D. Vance, zëvendës presidenti i SHBA-së.
 
Pas ofanzivës së ashpër izraelite në Liban, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëroi se do të hakmerret nëse Tel Aviv vazhdon operacionet në Liban. Ndërkohë Ushingroni mohon pretendimet për mbylljen e kesaj rruge strategjike ujore.
 
“Ne kemi parë rritje të trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Pritja dhe kërkesa e presidentit është që ajo të rihapet menjëherë, shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Na është konfirmuar privatisht se kjo po ndodh dhe se këto raportime janë të rreme.”, u shpreh Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
 
Negociatat mes SHBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohen në Islamabad. Trump theksoi se ushtria do të qëndrojë “në pozicion” derisa të arrihet një marrëveshje e plotë.
 
“Nëse për ndonjë arsye kjo nuk ndodh, gjë shumë pak e mundshme, atëherë ‘do të fillojë zjarri’ më i madh dhe më i fortë se kurrë më parë. Është rënë dakord prej kohësh, nuk do të ketë armë bërthamore dhe Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur dhe e sigurt.”, tha Trump.
 
Ndërkohë, Trump shprehu zhgënjim ndaj NATO-së gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të kësaj aleance Mark Rutte, duke vlerësuar se NATO-ja ka dështuar në këtë krizë. 
 
Nga ana tjetër, Rutte tha se biseda ishte e sinqertë dhe se shumica e aleatëve kanë kontribuar. Tensionet mes Uashington dhe aleatëve të tij po rriten, ndërsa Keir Starmer ka nisur një tur diplomatik në Gjirin Persik për të mbështetur armëpushimin.
 
FARIJE DAUTI BAKIU