Maqedoni
Pushteti dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën, LSDM akuzon për abuzime në sport, VMRO për ryshfet
09.04.2026 15:11
Partitë maqedonase akuzojnë njëra-tjetrën, për abuzim me mjetet për sportin dhe për ryshfet në ndërtim...

Partitë maqedonase akuzojnë njëra-tjetrën, për abuzim me mjetet për sportin dhe për ryshfet në ndërtim. LSDM akuzoi ministrin e Sportit, Borko Ristovski për selektivitet dhe korrupsion në ndarjen e mjeteve për sportin. Pançe Milevski nga kjo parti pyet se ku përfundojnë paratë e qytetarëve në sport dhe nëse ato po ndahen sipas lidhjeve kumbarore apo sipas kritereve të merituara.
“Ky është një skandal me paratë e popullit. Klubet pa rezultate të rëndësishme marrin shuma të larta parash, ndërsa sportet olimpike me suksese të dëshmuara po margjinalizohen. A janë arsyeja lidhjet kumbarore të Borko Ristovskit dhe a janë ato më të rëndësishme se kriteret që i meritojnë sportistët? Një qasje e tillë përbën diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj klubeve sportive që prej vitesh investojnë mund, arrijnë rezultate dhe e përfaqësojnë shtetin në arenën ndërkombëtare.”, u shpreh Pançe Milevski nga LSDM.
Nga ministri Ristovski nuk ka pasur përgjigje rreth akuzave. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE akuzoi ish-kryeministrin nga radhët e LSDM-së, Zoran Zaev, për përfitime nga shitja e njësive banesore që biznesmeni prorus Daka duhej t’i ndërtonte në Tetovë, të vlerësuara në 200 milionë euro.
“A duhej që Zoran Zaev, përveç atyre 4 milionë eurove që, sipas audio-incizimeve të publikuara në rrjetet sociale, Daka thotë se ia ka dhënë si ryshfet, të merrte edhe përqindje nga shitja e 2.000 njësive banesore në Tetovë? A është kjo arsyeja pse LSDM dhe BDI, me udhëzim të Zaevit, një ditë pas formimit të qeverisë në vitin 2020, ndryshuan DUP-in në Tetovë që biznesmeni prorus Daka të mund të ndërtojë një ‘xhungël betoni’?”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE thonë se është koha për përgjegjësi dhe se Prokuroria Publike duhet ta hetojë këtë rast. Nga ana tjetër, LSDM kërkon publikimin e menjëhershëm të pagesave dhe kritereve për klubet sportive, auditim të menaxhimit financiar të Ristovskit dhe hetim nga Komisioni Antikorrupsion për konflikt interesi.
ARMEND MURSELI
