Përfaqësimi i drejtë përplas partitë shqiptare
Partitë e bllokut shqiptarë janë përplasur...

Partitë e bllokut shqiptarë janë përplasur rreth përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Përfaqësues të koalicionit VLEN deklaruan se ligj i hartuar zëvendëson mekanizmin e “balancuesit”, duke e kthyer përfaqësimin në detyrim ligjor me metodologji të bazuar në të dhëna reale dhe me përgjegjësi të qartë institucionale.
Sipas tyre, kjo i jep fund abuzimeve, vetëdeklarimeve të rreme dhe manipulimeve që, siç pretendojnë, kanë shoqëruar sistemin për vite me radhë.
Shqiptarët nuk janë vegël, por janë Ligj thonë nga Vlen.
“Vegla e ashtuquajtur balancues, që duhej të garantonte barazi, në praktikë u kthye në mekanizëm me boshllëqe të mëdha juridike, që lejoi manipulime, interpretime dhe punësime të motivuara nga interesa të ngushta partiake. BDI-ja ka pasur vite të tëra që këtë parim kushtetues ta bëjë ligj. Nuk e bëri. As nuk u mundua. Kjo është e vërteta! Sot është ndryshe. Për herë të parë pas një çerek shekulli, përfaqësimi i drejtë bëhet detyrim. Për herë të parë, kjo çështje ka ZOT SHTËPIE. Krijohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar.” – tha Afan Elezi nga VLEN.
Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi se Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u ka dërguar letër partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorëve dhe liderëve botërorë, ku kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë dhe mbështetje për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit.
"Kryetari Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.”
Pas dritës së gjelbër nga Qeveria, propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kalon në Kuvend për votim. (Floirje Kamberi, TVM2)
