Botë

Lufta në Lindjen e Mesme, SHBA-Iran, negociata në Islamabat

10.04.2026 14:55

Sytë e opinionit botëror janë të drejtuar nga Pakistani...

Sytë e opinionit botëror janë të drejtuar nga Pakistani. Islamabadi është nikoqir i bisedimeve kyçe për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të mbetet i brishtë. Përmes deklaratave në media, të dyja palët shkëmbejnë kërcënime të drejtpërdrejta dhe skenarë të mundshëm nëse negociatat dështojnë. Presidenti Trump thotë se Teherani e menaxhon shumë keq Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore.
 
“Ka raporte se Irani po vendos tarifa për cisternat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, më mirë të mos vendosin, dhe nëse po, më mirë të ndalojnë menjëherë!”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Tramp.
 
Udhëheqësi suprem Moxhtaba Khamenei njoftoi se Irani do ta çojë menaxhimin e ngushticës në një fazë të re, pa dhënë detaje shtesë.
 
“Po hyjmë në një epokë të re në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk kërkojmë luftë, por nuk do të heqim dorë nga të drejtat tona ligjore në asnjë mënyrë, prandaj i konsiderojmë si një trup të gjitha frontet e rezistencës. Në të njëjtën kohë, u them fqinjëve jugorë: jeni dëshmitarë të një mrekullie. Prandaj shikoni drejt dhe kuptoni drejt, qëndroni në anën e duhur dhe jini skeptikë ndaj premtimeve të rreme të djajve.”, u shpreh Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.
 
Kryeministri izraelit ka urdhëruar bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet libaneze, ndërkohë që ushtria ka lëshuar urdhra evakuimi për disa pjesë të Bejrutit, një ditë pasi nga sulmet izraelite u vranë mbi 300 persona dhe mbi një mijë u plagosën.
 
“Izraeli është më i fortë se kurrë, Irani është më i dobët se kurrë. Kam arritur tashmë katër marrëveshje paqeje me shtetet arabe dhe synoj të arrij edhe të tjera. Paqe e vërtetë, paqe përmes forcës.”, u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Kongresmenët demokrat në SHBA kërkojnë ndërhyrje për të frenuar Trampin
 
Shefi i Shtëpisë së Bardhë përballet me kritika nga demokratët, të cilët kërkojnë largimin e tij nga detyra pas kërcënimeve ndaj Iranit në rrjetet sociale.
 
“Kërcënimet për shkatërrim total ishin jashtë çdo kufiri. Është koha që Kongresi të ndërhyjë dhe të marrë kontrollin.”, u shpreh Glenn Ivey, demokrat nga Maryland.
 
“Të gjitha zyrat tona kanë marrë qindra telefonata nga votues të shqetësuar që kërkojnë që Kongresi të mblidhet sërish dhe të përballet me këtë kërcënim përmes një rezolute për kompetencat ushtarake dhe masave të tjera për të frenuar një president që është jashtë kontrollit.”, u shpreh Mary Gay Scanlon, demokrate nga Pensilvania.
 
“Nuk mund ta justifikojmë atë që tha presidenti si taktikë negociuese. Kërcënimi me gjenocid nuk është taktikë negociuese.”, u shpreh Sara Jacobs, demokrate nga Kalifornia.
 
Bota po përballet me pasoja ekonomike nga lufta në Iran. Rritja ekonomike globale do të jetë më e ulët se sa pritej; FMN ka njoftuar se do të ulë parashikimin për rritjen ekonomike globale për shkak të goditjeve nga konfliktet në Lindjen e Mesme.
 
FARIJE DAUTI BAKIU