EES në fuqi, nis epoka digjitale, hyrje-daljet në BE pa vula, me gjurmë gishtash dhe foto
Sistemi digjital për hyrje dhe dalje nga Bashkimi Evropian...

Sistemi digjital për hyrje dhe dalje nga Bashkimi Evropian nga sot bëhet plotësisht funksional. Të gjithë shtetasit nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së do të fotografohen në kufi dhe do t’u merren shenjat e gishtërinjve.
Në ditën e parë të zbatimit të sistemit të ri digjital për hyrje-dalje në BE, nuk pati tollovi në pikën kufitare Evzoni.
Autoritetet greke aktivizuan të gjitha korsitë për qarkullim më të shpejtë, ndërsa kontrollet tashmë kryhen elektronikisht dhe biometrikisht, pa vulosje manuale të pasaportave.
Qytetarët ende nuk janë të informuar mirë për këtë sistem digjital, por shpresojnë që ai të ketë ndikim pozitiv.
“Ende nuk jemi regjistruar, është hera e parë. Nuk e dimë saktësisht çfarë duhet, por e dimë se duhet të evidentohemi përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave biometrike. Nëse përshpejtohet kalimi, atëherë ky sistem është i mirë.”
“Të shohim, nga sot po fillon ky sistem.”
“Për mua nuk ka logjikë, nuk shoh arsye. Kemi pasaporta biometrike dhe nuk e kuptoj pse është vendosur ky sistem digjital.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Regjistrimi i plotë në pikat kufitare përfshin fotografimin, marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe futjen digjitale të të dhënave nga pasaporta.
Agjencitë turistike shpresojnë për lehtësim të hyrje-daljes.
“Me vendosjen e këtij sistemi, për të cilin është folur prej kohësh, gjithçka te ne është e organizuar. Transporti me autobusë vazhdon sipas orareve të përcaktuara dhe nuk ka asnjë ndryshim në nisje. Fillimisht priten ndalesa më të gjata në pikat kufitare, por në afat më të gjatë shpresojmë dhe besojmë se ky sistem i ri do ta lehtësojë hyrjen dhe daljen nga vendet.” – tha Elizabeta Koçova-Josifovska, punonjëse turistike.
Gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare Bogorodicë janë regjistruar rreth 10 mijë udhëtarë. Sipas BE-së, sistemi synon modernizimin e kufijve, regjistrim elektronik të hyrje-daljeve, kontrolle më efikase, përmirësim të përvojës së udhëtarëve dhe rritje të sigurisë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. (Armend Murseli, TVM2)
