Maqedoni

Ligji për përfaqësim të drejtë, VLEN ripërsërit: Tash ka ligj, morën fund manipulimet

11.04.2026 16:50

Me Ligjin për përfaqësimi të drejtë koalicioni VLEN konsideron...

Me Ligjin për përfaqësimi të drejtë koalicioni VLEN konsideron se parimi kushtetues pas një çerek shekulli u bë ligj,duke shtuar se pa këtë ligj BDI e ka pasur më lehtë të manipulojë.
 
VLEN thekson se kjo nismë synon të sigurojë trajtim të barabartë dhe drejtësi për të gjithë ata që për vite me radhë kanë pritur përfaqësim adekuat në administratë, ndërkaq siç thonë, do t’u jepet fund manipulimeve për punësim pa meritë, siç pretendojnë se ka bërë Bashkimi Demokratik për Integrim. Shqiptarët nuk mund të mbahen më me vegla. Shqiptarët meritojnë ligj, thonë nga VLEN.
 
“Me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për herë të parë vendoset rregull për të gjithë. Për herë të parë, kjo punë nuk mbetet më pa zot shtëpie. Për herë të parë formohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar, që do ta ndjekë zbatimin e ligjit dhe do të kërkojë llogari nga çdo institucion. Me pak fjalë, nuk ka më vend për hile, deklarimet e rreme nuk kalojnë më dhe koha e mashtrimeve merr fund. Ky ligj nuk është për një parti. Ky ligj është për çdo shqiptar që ka pritur me vite të trajtohet si duhet. Të marrë hisen e vet. Sepse në fund të fundit, njerëzit nuk kërkojnë shumë. Kërkojnë vetëm drejtësi. Veglën e zëvendësuam me ligj. Sepse shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë ligj”, deklaroi Astrit Iljazi nga VLEN.
 
Paraprakisht, BDI duke dalë kundër ligjit vlerësoi  se nuk po bëhet arritje por regres i madh. Nuk parasheh kuota etnike, nuk parasheh obligim për institucionet që t’i identifikojë në bazë të etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit si dhe mungon dispozita sanksionuese.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU