Maqedoni

SHBA-të dhe Irani, në tryezën e negociatave për t'i dhënë fund luftës

11.04.2026 17:12

SHBA dhe Irani janë në negociata kyçe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad...

SHBA dhe Irani janë në negociata kyçe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, për t’i dhënë fund luftës gjashtëjavore, në kushtet e një armëpushimi të brishtë, ndërsa Libani mbetet një pikë e ndjeshme që pengon arritjen e një marrëveshjeje të plotë për ndërprerjen e luftimeve.
 
"Palët, të cilat ishin në luftë deri dje, kanë rënë dakord të zgjidhin çështjet e tyre përmes negociatave. Udhëheqja pakistaneze do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për t'i bërë këto bisedime të suksesshme. Faza e armëpushimit është një fazë për paqe të qëndrueshme dhe këto bisedime kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjeve komplekse. Ky është një moment vendimtar - të gjitha ose asgjë", deklaroi  kryeministrër i Pakistanit, Shehbaz Sharif.
 
Të dyja delegacionet janë të kujdesshme. Kreu i delegacionit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha se negociatorët e tij kishin "qëllime të mira", por "nuk u besonin" Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, zëvendëspresidenti amerikan Vance paralajmëroi se amerikanët nuk do të ishin të hapur për një marrëveshje nëse Irani do të përpiqej t'i mashtronte.   
"Nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, ne jemi sigurisht të gatshëm t'u japim një dorë. Nëse ata përpiqen të na dekurajojnë, atëherë do të zbulojnë se ekipi negociator nuk është aq i hapur. Kështu që ne do të përpiqemi të kemi negociata pozitive", u shpreh zëvendëspresident i SHBA-së, Xhej De Vance.
 
Përveç çështjeve ushtarake që lidhen me programin bërthamor dhe raketat balistike të Iranit, një pikë kyçe në negociata është Ngushtica e Hormuzit. Në një përpjekje për të rritur presionin mbi Teheranin, Trump paralajmëroi se "municioni më i mirë" po ngarkohet në anijet luftarake amerikane dhe se do të bëhet e qartë në 24 orët e ardhshme nëse bisedimet me Iranin do të jenë të suksesshme.
 
Ai shtoi se nuk ka nevojë për një plan rezervë nëse ato dështojnë, duke vlerësuar se Irani është në një pozicion të dobësuar dhe pret një zgjidhje të shpejtë të situatës. Në të njëjtën kohë, ai tha se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur "me ose pa" Iranin.
 
"Mendoj se do të shkojë shumë shpejt. Dhe nëse nuk ndodh, ne mund ta përfundojmë në një mënyrë ose në një tjetër", theksoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u ka bërë thirrje Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të tregojnë vullnet të mirë.
 
“Sekretari i Përgjithshëm përsërit se nuk ka alternativë të qëndrueshme ndaj zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë edhe Kartën e OKB-së”, deklaroi  zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
 
Ndërkohë, zyrtarët libanezë dhe izraelitë konfirmuan se negociatorët do të takohen në Uashington të martën me qëllim çarmatosjen e Hezbollahut dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje midis dy palëve, përndryshe Netanyahu kërcënoi të vazhdojë sulmet derisa të rivendoset siguria në Izraelin verior.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI