Maqedoni
Ligji per perdorimin e gjuheve, problemi te qasja politike dhe institucionale
12.04.2026 14:16
Kontestimi dhe moszbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve...

Kontestimi dhe moszbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në vend nuk është një zhvillim i ri, por një proces që ka rrënjë të hershme dhe të vazhdueshme. Kështu vlerëson profesori univerzitar Hasan Jashari. Sipas tij, debati aktual është vazhdim i një fushate që daton që nga viti 2017, kur figura akademike dhe institucionale, përfshirë përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve dolën publikisht kundër ligjit.
Që nga ajo periudhë, kundërshtimet nuk janë ndalur. Përveç reagimeve gjatë miratimit të ligjit, iniciativa të ngjashme janë përsëritur edhe në vitet në vijim, duke përfshirë kërkesa për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe, deri te mos lejimi i provimit të jurisporudencës në gjuhën shqipe dhe heqjen e mekanizmave si “balancuesi”.
“Është e qartë se bëhet fjalë për një fushatë që nuk është e ditëve të fundit, por daton që nga viti 2017, kur kryetarja e tanishme e shtetit, atëherë profesoreshë, së bashku me përfaqësues nga MANU dhe nga Instituti për gjuhën maqedonase, hartuan një letër publike ku kërkonin heqjen e ligjit. E njëjta qasje vazhdoi edhe gjatë procesit të miratimit të ligjit dhe, pas miratimit, po të njëjtët persona dhe institucione kanë nxitur vazhdimisht heqjen e “balancuesit” dhe shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Në vitet 2017, 2021 dhe 2025, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve paraqiti kërkesa të njëpasnjëshme për kufizimin apo heqjen e ligjit, pa hasur në reagimin e duhur. MANU, si institucion i themeluar nga Kuvendi i RMV-së, duhet të japë llogari për qëndrimet që mban dhe për tendencat që promovon në shoqëri”, deklaroi profesori universitar Hasan Jashari.
Megjithatë, përgjegjësia për situatën aktuale nuk shihet vetëm nga njëra anë. Një pjesë e kritikave drejtohen edhe ndaj elitave politike dhe intelektuale shqiptare, të cilat, sipas analizave, nuk kanë reaguar në mënyrë të duhur ndër vite.
Mungesa e një strategjie të qëndrueshme dhe fokusi tek pasojat, e jo tek shkaqet, ka ndikuar në dobësimin e mekanizmave mbrojtës për të drejtat gjuhësore.
“Studentët duhet të përkrahen në këtë drejtim, për këtë nuk ka dilemë. Megjithatë, problemi qëndron në faktin se elitat tona politike nuk i ndjekin proceset në thelb, por merren kryesisht me pasojat. Po ashtu, mbetet sfidë edhe forcimi i institucioneve tona, siç është Akademia Shqiptare. Problemet kryesore të saj shpesh burojnë nga vetë shqiptarët. Pa forcimin e komunave shqiptare dhe të institucioneve publike shqiptare, mungojnë mekanizmat mbrojtës për të ruajtur të drejtat tona. Megjithatë, në fund, institucionet që kundërshtojnë përdorimin e shqipes nuk mund ta fitojnë këtë betejë, sepse e drejta për të folur dhe përdorur gjuhën tonë në jetën publike mbetet e patjetërsueshme”, theksoi Jashari.
Jashari thekson se institucionet publike duhet të mbajnë përgjegjësi për qëndrimet që promovojnë dhe ndikimin që kanë në shoqëri. Pavarësisht sfidave, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike mbetet një e drejtë themelore, për të cilën kërkohet angazhim më i madh institucional dhe politik në të ardhmen.
FLORIJE KAMBERI
